Pacolli-Osmanit: Të votova, po rrezikoni sigurinë time dhe të familjes, dilni me fakte

Pacolli-Osmanit: Të votova, po rrezikoni sigurinë time dhe të familjes, dilni me fakte

Kur lideri i AKR’së, Behgjet Pacolli tha për incidentin e presidentes, Vjosa Osmani, në aeroportin e Shkupit, duke thënë se “nuk ekziston imunitet që mund të arsyetojë shmangien e kontrollit të çdo udhëtari që fluturon me një aeroplan…”, nga presidenca ai u godit duke e quajtur “biznesmen i ndikuar nga mjedisi rusofil”. Sot, Pacolli i thotë presidentes Osmani se “me këto akuza, institucioni juaj po rrezikon sigurinë” e tij dhe të familjes së tij.

Lidhur me akuzat nga presidenca, Pacolli i kërkon që të dalin me prova “përndryshe qytetarët do ta kuptojnë se nga institucioni juaj është shpifur se paku, dhe është udhëhequr një fushate linçuese ndaj meje”, shprehet ai.

Postimi i tij i plotë:

E nderuara Presidente,
Ju, që jeni figura unifikuese dhe mbi-partiake sipas kushtetutës, simbol i tolerancës dhe mosdiferencimit, ka një kohë një fushatë linçuese dhe dizinformative po realizohet nga institucioni juaj, duke më ofenduar disa herë dhe duke më quajtur serbofil dhe rusofil, etj. Unë jam i sigurt se nuk ka asnjë arsye për këtë. Mbi të gjitha, me këto akuza, institucioni juaj po rrezikon sigurinë time dhe të familjes sime në një kohë kur vendi ynë përballet me polarizim të thellë. E gjithë kjo ka ndodhur sepse institucioni juaj nuk respekton mendimin e të tjerëve.
Ju nuk jeni thjesht një komentuese pa lidhje dhe pa edukatë, por një person me rëndësi që gëzon besimin e të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe më gjerë. Siç e mbani mend mirë, unë votova për zgjedhjen tuaj ( por jetem kaq ) pavarësisht dallimeve tona në shumë çështje, e konsiderova zgjedhjen e duhur në atë kohë në respekt të rezultateve të zgjedhjeve dhe kandidaturës tuaj.
Për këtë arsye, ju lutem të paraqisni publikisht provat që vërtetojnë këto akuza. Sigurisht që nuk lejoni degradimin e institucionit të presidentit për të akuzuar dikë pa prova. Dilni me prova, thoni çdo gjë që dini, përndryshe qytetarët do ta kuptojnë se nga institucioni juaj është shpifur se paku, dhe është udhëhequr një fushate linçuese ndaj meje.
Duke marrë parasysh se institucioni juaj nuk mund të shpifë apo të gënjejë, ajo që ju thoni duhet të jetë e vërtetë dhe e mbështetur nga faktet. Institucioni dhe familjar te tuaj e kanë përsëritur këto akuza disa herë; tani, ju lutem të tregoni cilat janë faktet?

Shpërndaje në: