Kamberi: Serbia po diskriminon shqiptarët, ndërkombëtarët s’e kanë vëmendjen në Luginë

Kamberi: Serbia po diskriminon shqiptarët, ndërkombëtarët s’e kanë vëmendjen në Luginë

Lugina e Preshevës po përgatitet për protesta gjithëpopullore pas paralajmërimit nga Këshilli Kombëtar Shqiptar për shkak të diskriminimit të vazhdueshëm ndaj shqiptarëve në këtë rajon.

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka shprehur shqetësimin e tij për mungesën e vëmendjes ndërkombëtare dhe ka theksuar domosdoshmërinë e ndërmarrjes së masave.

“Po, mjerisht po, përkundër faktit që jemi në proces dialogimi me Beogradin ka dy dekada pas përfundimit të luftës dhe përkundër faktit të tri marrëveshjeve marrëveshjes të cilat parashohin domosdoshmërinë e afirmimit të të drejtave të shqiptarëve mungesa e vullnetit politik në Beograd është ajo që po detyron të ndërmarrim këtë masë dhe këtë hap për civilizuar më tepër faktorin ndërkombëtarë dhe obligimit që i ka Serbia ndaj shqiptarëve në Luginë të Preshevës për ti përmbushur përfundimisht ato. Situata çdo ditë e më tepër rëndohet, cenohen të drejtat elementare të drejtat e njeriut, të drejtat e tona kolektive… E drejta e përdorimit të gjuhës, shkrimit shqip”, ka thënë Kamberi për emisionin FIVE.

Deputeti shqiptar ka theksuar rëndësinë e tërheqjes së vëmendjes ndërkombëtare ndaj situatës në Luginën e Preshevës.

“Bashkësia ndërkombëtare nuk ka një vëmendje të mjaftueshme në Luginë të Preshevës dhe me këtë dëshirojmë që edhe vëmendjen e tyre ta tërheqim këtu”, ka shtuar ai.

Kamberi ka renditur një sërë problemesh që përballen shqiptarët në këtë rajon.

“Serbia mohon të drejtën tonë për integrim të barabartë në organet shtetërore, mosnjohja e diplomave, probleme të shumta në arsim, çështja e diskriminimit ekonomik, mungesa e hapësirës për jetës janë vetëm disa nga aktet që në vazhdimësi po përsëriten të cilat Serbia po i ndërmerr për të ia vështirësuar jetën shqiptarëve këtu”, ka deklaruar ai

Protesta e paralajmëruar është një reagim ndaj pasivizimit të adresave dhe diskriminimit të vazhdueshëm që përballen shqiptarët në Luginën e Preshevës, një situatë që sipas Kamberit, po bëhet gjithnjë e më e rëndë dhe kërkon ndërhyrje urgjente nga komuniteti ndërkombëtar.

Shpërndaje në: