Shefi i OSBE-së në Kosovë reagon për mbylljen e postës serbe në veri: Urgjencë kthimi i palëve në dialog
Drejtuesi i Misionit në Kosovë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Michael Davenport, e ka vlerësuar si “urgjencë” rikthimin e palëve në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Ngjarjet e fundit – mbyllja e zyrave postare në komunat veriore dhe propozimet e rinovuara për hapjen e urës në Mitrovicë/Mitrovica për trafik – kanë nënvizuar urgjencën e kthimit në dialog. Të dyja këto çështje duhet të zgjidhen në procesin e udhëhequr nga BE”, ka shkruar Davenport në “X”.
“Por ky duhet të jetë dialog i fokusuar edhe një herë në përmirësimin e jetës së njerëzve të zakonshëm në Kosovë dhe rritjen e perspektivës për të rinjtë nga të gjitha komunitetet për të jetuar, punuar dhe rritur familjet e tyre këtu”, thotë më tej ai.
Për mbylljen e pikave të Postës së Serbisë në veri, kanë reaguar edhe misionet tjera në Kosovë si dhe Bashkimi Evropian e Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Zhgënjim ndaj Qeverisë së Kosovës ka shprehur të hënën SHBA-ja në një reagim lidhur me mbylljen e degëve të Postës së Serbisë në veri të Kosovës.
SHBA-ja i ka quajtur këto vendime si të njëanshme dhe të pakoordinuara.
“Qeveria e SHBA-së është thellësisht e zhgënjyer nga veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës kundër filialeve të postës serbe në veri të Kosovës. Veprimet e pakoordinuara të Kosovës vënë qytetarët kosovarë dhe ushtarët e KFOR-it në rrezik më të madh, përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si partnere e besueshme ndërkombëtare”, u tha në komunikatën e Ambasadës së SHBA-së në Kosovë.
SHBA-ja tutje i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i ndërpresë veprimet e mëtutjeshme “të njënashme dhe t’i kthehet angazhimit konstruktiv në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për t’i zgjidhur çështjet që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
Edhe Bashkimi Evropian e ka quajtur të njëanshëm dhe të pakoordinuar këtë vendim. Sipas BE-së, një veprim i tillë shkel dialogun mes dy vendeve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
“Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara nuk mund të ofrojnë zgjidhje për këtë dhe çështje tjera, që i përkasin procesit të normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë. Mbyllja e shërbimeve ekzistuese për serbët e Kosovës, pa një marrëveshje të arritur paraprakisht, do të ndikojë negativisht në përditshmërinë dhe kushtet e jetesës së këtij komuniteti”, ka thënë blloku evropian përmes një deklarate.
BE-ja i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të rishqyrtojë këtë vendim dhe të gjejë një zgjidhje të negociuar në kuadër të dialogut.
Policia e Kosovës ka thënë të hënën se ka mbyllur disa degë të Postës së Serbisë në Mitrovicë të Veriut.