Hapja e urës së Ibrit, Gashi: Nëse hapja bëhet pa koordinim, pasojat do të jenë të paparashikueshme
Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, ka paralajmëruar pasoja për Kosovën nëse ura e Ibrit hapet pa koordinim me ndërkombëtarët.
Ai ka vlerësuar se një veprim i tillë do t`i përshkallëzonte tensionet dhe pasojat do të ishin të parikuperueshme.
Gjatë një intervista për emisionin “Interaktiv” në KTV, ai ka thënë se për këtë çështje Qeveria e Kosovës duhet të konsultohet me ndërkombëtarët.
“Qeveria e Kosovës duhet domosdoshmërisht që një vendim të tillë ta konsultojë me ndërkombëtarët dhe të krijohen parakushte që ura të hapet. Nëse një vendim i tillë merret pa koordinim, mund të përshkallëzojë tensionet me ndërkombëtarët dhe pasojat janë të paparashikueshme”, është shprehur ai.
Gashi ka përmendur edhe përgjegjësinë e KFOR-it në këtë fushë.
“Nëse vendimi i tillë nuk koordinohet me ndërkombëtarët, çështje e urës do të jetë komplekse dhe problematike. Neni 137 i Kushtetutës thotë se misioni i NATO-s ka përgjegjësi për sigurinë e përgjithshme të Kosovës dhe nëse ajo rrezikohet, në të gjitha planifikimet që kemi si Kosovë, është reaguesi i tretë. Ajo ka përgjegjësi për të ulë tensionet dhe institucionet e Kosovës nuk kanë kapacitete të përballen me një situatë hipotetikisht që krijohet si rezultat i tensioneve brendshme apo ndërhyrjes nga ndërkombëtarët”, ka thënë Gashi.