Franca i “mëshon” Qeverisë pas mbylljes së zyrave postare serbe në Veri: Hap i njëanshëm dhe i pakoordinuar
Mbylljen e nëntë objekteve të Postës së Serbisë të hënën në veri të vendit, Bashkimi Evropian e konsideroi si hap të njëanshëm dhe të pakoordinuar, “i cili shkel marrëveshjet e arritura në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”. Pro qëndrimit të BE-së ka dalë edhe Ambasada e Francës në Kosovë.
Ambasada e Francës në Kosovë tha se “Franca e mbështet plotësisht deklaratën e djeshme të BE-së për mbylljen nga autoritetet e Kosovës të nëntë objekteve postare të degëve të Serbisë në veri të Kosovës. Ky është një hap tjetër i njëanshëm dhe i pakoordinuar, i cili nuk është në përputhje me dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe dëmton komunitetin serb”.
Çka deklaroi BE?
“Si pjesë e Marrëveshjeve në lidhje me Telekomunikacionet e arritura në vitin 2013 dhe Planit të Veprimit të rënë dakord në 2015, të dyja palët ranë dakord të diskutojnë shërbimet postare “në një fazë të mëvonshme”, duke pranuar kështu se çështja mund të trajtohet vetëm brenda kornizës së Dialogut. Këtë e ka pranuar sërish sot Autoriteti Rregullativ i Shërbimeve Elektronike dhe Postare të Kosovës.
BE-ja është e gatshme ta përfshijë këtë çështje në agjendën e takimit të ardhshëm të Dialogut. BE pret që palët të zhvillojnë ide konstruktive që mund të shërbejnë si bazë për zgjidhje.
Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara nuk mund të ofrojnë zgjidhje për këtë apo ndonjë çështje tjetër që i përket procesit të normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Mbyllja e shërbimeve ekzistuese të serbëve të Kosovës, pa ndonjë marrëveshje të re të rënë dakord paraprakisht, do të ndikojë negativisht në jetën e përditshme dhe kushtet e jetesës së këtij komuniteti. I bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të rishqyrtojë vendimin e saj dhe të gjejë një zgjidhje të negociuar për këtë çështje në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, tha të hënën në deklaratë Bashkimi Evropian.
France fully supports the EU statement yesterday on the closure by the Kosovo authorities of nine postal facilities of Serbia branches in the north of Kosovo.
This is yet another unilateral and uncoordinated step which is not consistent with the EU-facilitated Dialogue and harms… https://t.co/wcznafYVUE— France au Kosovo 🇲🇫 (@FranceauKosovo) August 6, 2024