Reagon KFOR-i pas inspektimeve te ura e Ibrit: I çon mesazh Qeverisë për insistimin që po bën për hapjen e saj

Reagon KFOR-i pas inspektimeve te ura e Ibrit: I çon mesazh Qeverisë për insistimin që po bën për hapjen e saj

KFOR-i përmes një njoftimi për media ka treguar se sot gjenerali turk Ozkan Ulutas është njoftuar nga Drejtori i Policisë së Kosovës, për një inspektim teknik të Urës së Ibrit në Mitrovicë.

 KFOR ka thënë se nuk do të hezitojnë të trajtojnë çfarëdo zhvillimi që mund të ndikojë në mjedisin e sigurisë dhe stabilitetin rajonal.

“Njësitë e KFOR-it mbajnë një prani të përhershme, fikse në urë dhe vazhdojnë të kryejnë patrullime të rregullta në zonat përreth për të garantuar stabilitet dhe siguri, për të mirën e të gjitha komuniteteve lokale. Ne nuk do të hezitojmë të trajtojmë çdo zhvillim që mund të ndikojë në mjedisin e sigurisë dhe stabilitetin rajonal, në respekt të plotë të mandatit tonë të OKB-së”, thuhet në komunikatë.

KFOR ka përsëritur qëndrimin që çdo vendim në lidhje me hapjen e Urës duhet të merret në kuadër të dialogut të Brukselit.

“Qëndrimi i KFOR-it ka qenë i qartë dhe konsistent gjatë gjithë kohës. Çdo vendim në lidhje me hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, thuhet tutje.

“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i ka një strukturë fleksibël dhe të pajisur mirë. KFOR-i vepron si reagues i tretë i sigurisë, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), të cilët janë përkatësisht reaguesi i parë dhe i dytë i sigurisë.”, përfundon njoftimi.

Shpërndaje në: