Plagosja e gruas në Fushë Kosovë, Prokuroria konfirmon se i dyshuari ishte ndaluar të premten për dhunë në familje
Prokuroria Themelore e Prishtinës ka dalë me reagim lidhur me plagosjen e një gruaje në Fushë Kosovë, ku i dyshuar është bashkëshorti i saj. Prokuroria ka konfirmuar se i dyshuari ishte ndaluar më 2 gusht për shkak të dyshimit për “Dhunë në familje”.
Në njoftimin e Prokurorisë bëhet me dije se i pandehuri I.A është arrestuar sot në fshatin Bresje të Fushë Kosovës, nën dyshimin për “vrasje e rëndë në tentativë”, “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “mospërfillja e gjykatës”.
Në vendin e ngjarjes bëhet e ditur se ka dalur prokurori i shtetit me qëllim të sigurimit të provave materiale si dhe ka viztuar viktimën në QKUK.
“Në vendin e ngjarjes ka dal Prokurori i Shtetit, me qëllim të sigurimit të provave materiale, si dhe, ka vizituar të dëmtuarën e rastit, e cila është në trajtim në SHSKUK në Prishtinë, ndërsa ndaj të pandehurit IA, ka lëshuar Aktvendim mbi ndalim.
Prokurori i Shtetit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, janë duke punuar intensivisht me qëllim të ndriçimit të rrethanave të cilat i kanë paraprirë kryerjes së këtyre veprave penale”, thuhet në njoftim.
Prokuroria ka bërë me dije se i dyshuari ishte ndaluar më 2 gusht për shkak të dyshimit për “Dhunë në familje”. Dy ditë më pas, sipas Prokurorisë, Prokurori i Shtetit ka ngritur Aktakuzë me kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit I.A.
“Po ashtu, më datë 04.08.2024, në Gjykatën Themelore në Prishtinë – dega në Fushë Kosovës, është mbajtur shqyrtimi fillestar në këtë çështje penale, ku Prokurori i Shtetit gjatë kësaj seance, duke marrë parasysh gjendjen shëndetësore të të pandehurit si dhe faktin se i pandehuri ka edhe një adresë tjetër të vendbanimit, ka propozuar masën e arrestit shtëpiak. Gjykata ka refuzuar propozimin e Prokurorit të Shtetit për caktimin e masës së arrestit shtëpiak, ashtu që ndaj të pandehurit I.A, është caktuar masa e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar”, thuhet në komunikatë.