Ndërkombëtarët nuk e mbështesin, Sveçla flet nga veriu: Ura e Ibrit do të hapet, s’ka asnjë arsye që të mos hapet

Ndërkombëtarët nuk e mbështesin, Sveçla flet nga veriu: Ura e Ibrit do të hapet, s’ka asnjë arsye që të mos hapet

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, sot ka vizituar Mitrovicën e Veriut.

Ai atje u pyet nga gazetarët për mbylljen e nëntë degëve të Postës së Serbisë në Veri, gjë që u kritikua nga ndërkombëtarët.

Sveçla tha se është normale ajo çfarë po bëjnë institucionet e Kosovës.

“Çfarë janë duke bërë institucionet e Kosovës është shumë normale. Ato nuk kanë pasur licencë”, tha Sveçla.

Sveçla foli edhe për hapjen e Urës së Ibrit, veprim i cili nuk po përkrahet nga ndërkombëtarët.

“Ura do të hapet, nuk ka asnjë arsye që të mos hapet. Tash, kur do të hapet është çështje e vlerësimit të ekspertëve”, tha ai.

Dje zëvendësdrejtori i Policisë në Veri, Veton Elshani, konfirmoi mbylljen e nëntë degëve të Postës së Serbisë në Veri.

Ai tha se ajo kanë operuar pa licencë dhe se nuk kanë qenë të regjistruara në ARBK.

“Pas nje shkrese/informate  te pranuar nga ARKEP, se ne teritorin e Kosoves operojne operator ekonomik pa licence dhe te pa regjistruar ne ARBK, njesi policore kan shkuar per verifikim te ketij informacioni. Informacioni ka rezultuat te jetë I sakte me çrast policia ka njoftuar prokurorin e shtetit. Pas verifikimit të gjendjes faktike në këto objekte kemi ardhë në përfundim se nuk kanë licenca dhe nuk janë të regjistruara prandaj në konsultim me Prokurorin edhe janë mbyll për hetim të mëtejm nga Drejtoria kundër Krimeve Ekonomike”, tha Elshani.

Diskutimet për urën janë aktualizuar në muajt e fundit, pas thirrjeve në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut që ura të hapet tërësisht për qarkullim. Këtë komunë në veri të Kosovës e udhëheq Erden Atiq nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.

Pas tij, Qeveria e Kosovës ka nisur konsultimet me partnerët e saj ndërkombëtarë për rivitalizimin e urës dhe ua ka prezantuar atyre një plan për këtë.

Megjithatë, shtetet e QUINT-it e kanë kundërshtuar planin e qeverisë.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të premten se vendet e QUINT-it dhe NATO-ja nuk e mbështesin hapjen e urës.

Shpërndaje në: