Komunat rrezikohen të vonohen në planifikimin e saktë buxhetor për vitin e ardhshëm, AKK ka një thirrje për Muratin
Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës kërkon urgjentisht nga Ministri i Ministrisë së Financave dhe Transfereve të lëshojë Qarkoren e dytë Buxhetore për komunat e Republikës së Kosovës.
Lëshimi i kësaj Qarkoreje u mundëson Komunave të Republikës së Kosovës që të fillojnë procesin final të planifikimit buxhetor.
AKK shprehet e brengosur që nëse një gjë e tillë nuk ndodh, komunat nuk do mund t’i zhvillojnë debatet me qytetar dhe kjo mund të dërgoj në mos-planifikim të mirë buxhetor dhe në mos-përmbushjen e kërkesave të qytetarëve në realizimim e nevojave të tyre.
“Gjithashtu, mos-dorëzimi i buxhetit më datën 1 shtator u kushton komunave me humbje të pikëve në Raportin e Performancës, respektivisht penalizohen nga përfitimet financiare nga Granti i Performancës. Nuk është hera e parë që MFPT e dërgon shumë vonë këtë qarkore dhe i rrezikon Komunat që mos të kenë mundësi teknike që ta dorëzojnë buxhetin me kohë pranë Kuvendeve të Komunave, me saktesisht me datën 1 Shtator që është obligim ligjor që buxheti t’i dorëzohet Kuvendit të Komunës. Pa Qarkoren e Dytë Buxhetore, Komunat nuk i dijnë as kufijtë përfundimtar buxhetor si organizata buxhetore dhe kjo pamundëson direkt dorëzimin e Buxhetin në Kuvendin e Komunës. Nëse ndodhë që MFTP të vonohet edhe më tutje, bordi i AKK thekson që e gjithë përgjegjësia duhet të bijë mbi ministrin Murati, që deri më tani është treguar neglizhent në raport me kërkesat e komunave”, ka thënë kryetari I AKK-së, Sazan Ibrahimi.
Ai, po ashtu i ka bërë thirrje ministrit Murait që sa më shpejt të bëj bartjen e mjeteve financiare të Komunave nga rritja e të hyrave vetjake nga viti 2023.
“Këto mjete ende janë të bllokuara nga MFTP dhe ia rikujtojmë Ministrit Murati që këto mjete janë të Komunave dhe duket shumë absurd që mjetet e Komunave të bllokohen nga niveli qëndror. Kemi të bëjmë më mosbartjen e rritjes së të hyrave vetanake të vitit 2023, e që këto të hyra kapin shifrën e milionave euro. Komunat që kanë tejkaluar planifikimin e të hyrave vetanake për vitin 2023 kanë aprovuar këtë rritje buxhetore në Kuvendet e Komunave përkatëse mirëpo, MFPT ende nuk i ka bartur këto të hyra dhe i zvarrit pa asnjë arsye. Duhet ditur se MFPT e ka obligim Ligjor që këto mjete t’i bartë te komunat sepse janë të hyra vetjake të komunave dhe që shumica absolute e këtyre mjeteve janë të dedikuara për investime kapitale, pra në përmisimin e jetës së qytetarëve”, ka thënë Ibrahimi.