Mbi 3 milionë euro u shpenzuan për shtatë muaj nga buxheti i shtetit për mbrojtjen e të akuzuarve nga Specialja

Mbi 3 milionë euro u shpenzuan për shtatë muaj nga buxheti i shtetit për mbrojtjen e të akuzuarve nga Specialja

Gjatë periudhës janar-korrik të 2024-ës, Republika e Kosovës ka shpenzuar mbi 3 milionë euro për mbrojtjen e të akuzuarve nga Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë.

Ministria e Drejtësisë përmes një përgjigje me shkrim për “Betimi për Drejtësi” ka treguar se shuma e shpenzuar për mbrojtjen e të akuzuarve nga Specialja gjatë shtatë muajve të 2024-ës ka arritur në 3 milionë e 309 mijë e 200 euro, e që buxheti i ndarë për këtë vit është 6 milionë e 850 mijë euro.

“Gjithashtu, shuma e ndarë për vitin 2024 është 6.850.000 € (gjashtë milion e tetëqind e pesëdhjetëmijë euro)”, thuhet në përgjigjen e MD-së.

Gajtë periudhës janar-korrik 2024, për mbrojtjen e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, nga buxheti i Kosovës janë shpenzuar për secilin veç e veç nga 660 mijë euro. Kurse, për mbrojtjen e Pjetër Shalës janë shpenzuar 450 mijë euro.

Për mbrojtjen e Salih Mustafës, MD-ja njofton se janë shpenzuar 200 mijë euro, ndërsa më së paku janë shpenzuar për mbrojtjen e Nasim Haradinajt, gjithsej 19 mijë e 200 euro.

Kurse, gjatë vitit 2023 nga buxheti i shtetit ishin paguar mbi 8 milionë euro për mbrojtjen e të akuzuarve nga Specialja.

Ndërsa, shuma e shpenzimeve për vizitat e familjarëve për secilin nga të pandehurit ka arritur shifrën në 91 mijë e 925 euro e 4 centë gjatë periudhës shtatë mujore (janar-korrik 2024). Sipas përgjigjes së Ministrisë së Drejtësisë, në këto shpenzime përfshihen fjetja, ushqimi dhe biletat.

Gjatë kësaj periudhe, Hashim Thaçi nuk e ka shfrytëzuar këtë të drejtë, ndërsa për familjen e Jakup Krasniqit janë shpenzuar 15 mijë e 381 euro e 43 centë. Për familjen e Kadri Veselit, janë shpenzuar 11 mijë e 461 euro e 7 centë dhe për familjen e Rexhep Selimit janë shpenzuar 12 mijë e 252 euro e 86 centë.

Për vizitat e familjes së Salih Mustafës, janë shpenzuar 8 mijë e 538 euro e 33 centë, ndërsa për atë të Pjetër Shalës janë shpenzuar 7 mijë e 95 euro e 31 centë.

Kurse, për vizitat e familjes së Hysni Gucatit që përfshinë vetëm fjetjen e ushqimin (pa bileta të udhëtimit), deri në korrik të 2024-ës janë shpenzuar gjithsej 350 euro.

Ndonëse shpenzime për mbrojtjen e tyre nuk pati, Sabit Januzi, Ismet Bahtijari, Haxhi Shala dhe Isni Kilaj e shfrytëzuan të drejtën për t’u paguar vizitat e tyre familjare nga buxheti i shtetit.

Nga këta të katër, më së shumti ka pasur shpenzime për vizitat e familjarëve të Haxhi Shalës, që kapin vlerën prej 12 mijë e 287 euro e 26 centë, duke pasuar më pas me ata të Isni Kilajt në vlerë prej 11 mijë e 247 euro e 13 centë.

Për vizitat e familjarëve të Bahtijarit janë shpenzuar nga buxheti i shtetit 7 mijë e 365 euro e 78 centë, për ata të Januzit 7 mijë e 95 euro e 31 centë.

Mbulimi i këtyre shpenzimeve për mbrojtjen e të akuzuarve të Speciales bëhet konform Nenit 3, paragrafi 1 të Ligjit nr. 05/l-054 për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencial në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara.

Sipas nenit 3.1 të këtij ligji përcaktohet se “Të gjithë personat e akuzuar kanë të drejtën e kërkesës për asistencë në mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes dhe të angazhimit të mbrojtësit të pavarur, me përvojë dhe kompetencë, që paguhen nga Buxheti i Kosovës, i alokuar për qëllimet e këtij Ligji”.

Derisa, neni 4 i po të njëjtit ligj ka paraparë se “1. Mbështetja e nevojshme financiare për anëtarët e ngushtë të familjes së personave të akuzuar për krimet e pretenduara në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara përfshinë shpenzimet e ndërlidhura me udhëtimet e tyre kur procedurat gjyqësore zhvillohen jashtë Kosovës. 2. Mbështetja e nevojshme financiare për anëtaret e ngushtë të familjes së personave të akuzuar për krimet e pretenduara në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara bëhet sipas aktit nënligjor të miratuar nga Ministria e Drejtësisë”.

Dhomat e Specializuara të Kosovës janë themeluar në gusht të vitit 2015, pasi deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës kishin miratuar amendamentin kushtetues, përkatësisht nenin e ri 162 të Kushtetutës së Kosovës, me dy të tretat (2/3) e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, si dhe Ligjin pёr Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit tё Specializuar (ZPS).

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Kurse në rastin ndaj Salih Mustafës kishte vendime dënuese në shkallën e parë dhe të dytë, por Supremja e Speciales e ktheu sërish rastin në Apel për të përcaktuar një dënim të ri ndaj të akuzuarit për krime lufte. Aktakuza e ngarkon Mustafën me krime të kryera kundër personave të ndaluar në një kompleks ndalimi në fshatin Zllash ku pretendohet se u kryen krime të ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe torturës dhe se u vra një i ndaluar.

Së fundi, edhe për rastin ndaj Pjetër Shalës ka një verdikt nga shkalla e parë, por që gjatë 2023-ës ky rast ishte ende në proces të gjykimit.

Shala u shpall fajtor për ndalim arbitrar si krim lufte kundër së paku 18 personave në periudhën mes 17 majit 1999 deri më 5 qershor të atij viti në Fabrikën e Metalit në Kukës, torturë si krim lufte kundër së paku 18 personave dhe vrasje e paligjshme si krim lufte kundër një personi. Ai u dënua me 18 vjet burgim e që vendimi ende nuk ka formë të prerë.

Më 18 maj 2022, nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë u shpallën fajtorë Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati, lidhur me veprat penale të pengimit të personave zyrtarë dhe pengim të administrimit të drejtësisë, duke i dënuar me nga katër vite e gjysmë burgim, ku iu llogaritej koha e kaluar në paraburgim, si dhe me nga 100 euro gjobë.

Pas ankesës në Apel, Kolegji i Gjykatës së Apelit nxori aktgjykim lidhur me ankesën e dy të dënuarve nga shkalla e parë, ku u konfirmuan shumica e veprave për të cilat ishin dënuar. Por, dënimi u zbrit në 4 vite e tre muaj dhe iu konfirmua dënimi me 100 euro gjobë. Megjithatë, kërkesat për mbrojte të ligjshmërisë në këtë rast u refuzuan nga Supremja dhe Kushtetuesja e Speciales.

Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinajn, akuzoheshin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Për vepra kundër administrimit të drejtësisë dhe pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare po akuzohen edhe Ismet Bahtijari, Sabit Januzi dhe Haxhi Shala, por që gjykimi në këtë rast ende nuk ka filluar.

Shpërndaje në: