Ambasada Amerikane: Aksionet e pakoordinuara të Kosovës po rrezikojnë jetën e qytetarëve dhe ushtarëve të KFOR’it

Ambasada Amerikane: Aksionet e pakoordinuara të Kosovës po rrezikojnë jetën e qytetarëve dhe ushtarëve të KFOR’it

Qeveria amerikane ka thënë se është thellësisht e zhgënjyer me ato që i ka cilësuar veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës kundër degëve të Postës së Serbisë në veri të Kosovës.

 Në reagim kanë thënë se ky “veprim i njënashëm dhe i pakoordinuar vë në rrezik qytetarët dhe ushtarët e KFOR-it”.

Andaj, SHBA i bën thirrje Qeverisë së Kosovës të “ndërpresë çdo veprim të mëtejshëm të njëanshëm dhe t’i kthehet angazhimit konstruktiv në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja”.

“Veprimet e pakoordinuara të Kosovës përballin shtetasit e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it me rrezik të madh, nxisin përshkallëzim të panevojshëm të tensioneve rajonale, dhe minojnë reputacionin e Kosovës si partnere e besueshme ndërkombëtare”, është thënë në reagimin e Ambasadës amerikane në Prishtinë.

Në deklaratë i është bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’iu japë fund veprimeve të njëanshme dhe t’i kthehet angazhimit konstruktiv në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, për t’i zgjidhur çështjet e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë.

Më herët për të njëjtën çështje ka reaguar edhe Bashkimi Evropian i cili po ashtu e ka quajtur të njëanshëm dhe të pakoordinuar vendimin e autoriteteve të Kosovës për mbylljen e nëntë degëve të Postës së Serbisë, në veri të Kosovës.

Policia e Kosovës ka thënë të hënën se ka mbyllur tri degë të Postës së Serbisë në Mitrovicë të Veriut, tri në Leposaviq, dy në Zveçan dhe një në Zubin Potok.

Zyrtarë të saj kanë thënë se kanë nisur aksionin policor pasi kanë marrë informacione nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) se në territorin e Kosovës po operojnë operatorë ekonomikë pa licencë dhe që nuk janë të regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK).

Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) është organ rregullator në fushën e komunikimeve elektronike dhe të shërbimit postar, i cili mbikëqyr kuadrin rregullator të përcaktuar nga ligji për komunikimet elektronike, nga ligji për shërbimin postar dhe nga politikat e zhvillimit.

Mbyllja e objekteve është dënuar prej zyrtarëve të Postës së Serbisë, Listës Serbe, dhe institucioneve shtetërore të Serbisë.

Shpërndaje në: