Tre shtete të SHBA-së padisin Volkswagen për mashtrim
Drejtuesit ekzekutivë të Volkswagen kanë pranuar se kanë mashtruar SHBA-të për makina me diesel në emetimin e gazrave për shumë vite, ndërsa tani New York ka ngritur padi kundër kësaj kompanie, transmeton koha.net.
New York është njëri nga tre shtetet që kanë ngritur padi të ndara kundër prodhuesit gjerman të makinave VW, së bashku me Meryland dhe Massachusetts.
Këto padi janë ngjarjet më të mëdha të fundit për skandalin e ashtuquajtur “Dieselgate”, i cili ka dëmtuar biznesin global të Volkswagen, e ka njollosur emrin e prodhuesit gjerman të veturave dhe ka çuar në shkarkim një numër të madh drejtuesish.
VW shtatorin e kaluar ka pranuar se ka përdorur një softuer sekret për të mashtruar aparaturat e testimit për emetimin e gazrave, në miliona vetura në të gjithë botën.
Të tre shtetet kanë akuzuar VW për shkelje të ligjeve mjedisore.