Himara po voton për kryetarin e ri të bashkisë, 6 mijë votues pa karta identiteti të vlefshme

Himara po voton për kryetarin e ri të bashkisë, 6 mijë votues pa karta identiteti të vlefshme

Në bashkinë e Himarës në jug të Shqipërisë në 36 qendra votimi u thirrën sot për të votuar 23074 zgjedhës për kryetarin e ri të Bashkisë.

Petraq Gjikuria nga koalicioni “Bashkë Fitojmë” dhe Vangjel Tavo nga Partia Socialiste janë në garë në këto zgjedhje të parakohshme pasi kryetari i zgjedhur Fredi Beleri nuk arriti ta merrte mandatin, pasi u arrestua një ditë para votimeve dhe u dënua nga gjykatat shqiptare me dy vite burgim për “korrupsion aktiv në zgjedhje”.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se në përgjithësi procesi vijonte normalisht dhe në të gjitha qendrat e votimit është kryer identifikimi elektronik i zgjedhësve.

Një nga problemet që u shfaq në shumë qendra votimi ishte paraqitja e zgjedhësve më karta të skaduara identiteti, të cilët nuk janë lejuar të votojnë.

Sipas të dhënave zyrtare rezultojnë rreth gjashtë mijë zgjedhës me karta që u ka skaduar afati, por jo të gjithë e kanë pasur të pamundur të votojnë pasi mund të ketë mes tyre zgjedhës me pasaprota të vlefshme.

Po kështu ligji lejon që personat mbi 70 vjeç të votjnë me karta identiteti që u ka skaduar afati.

Kryetari i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi u tha gazetarëve në një konferencë shtypi në Himarë se “janë rreth 6 mijë votues të cilët dokumenti ose u ka skaduar ose u skadon deri ditën e sotme.”

“Dua të them, tha zoti Celibashi që gati po e njëjta shifër ka qenë edhe në zgjedhjet e kaluara.”

Por në zgjedhjet vendore të vitit të shkuar qeveria ndërmori një vendim në shkallë kombëtare që vlefshmëria e kartave të identitetit të skaduara shtyhej, ndërsa në zgjedhjet e sotme në Himarë nuk pati një vendim të tillë. /VOA

Shpërndaje në: