Ndalohen dhe u konfiskohen armët dy të rinjve pasi kanë shtënë në parkun nacional “Sharri”
Policia i ka ndaluar dy persona një 23-vjeçar dhe një 18-vjeçar pasi kishin shtënë me armë zjarri në Parkun Nacional “Sharri” në Kaçanik mbrëmë pak para mesnate.
Në njoftimin e policisë thuhet se policët e rendit menjëherë janë nisur në atë drejtim dhe kanë arritur të identifikojnë dy persona: R.V ( M/K) i moshës 23 vjeçar dhe E.V (M/K) i moshës 18 vjeçar, tek të cilët janë gjetur dy armë, me të cilat dyshohet se kanë shtënë në ajër.
“Të dyshuarit janë shoqëruar në stacionin e policisë në Kaçanik dhe pas intervistimit nga policët hetues, me vendim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj janë liruar për procedurë të rregullt hetimore, ndërsa si prova materiale janë sekuestruar armët dhe sasia e municionit”.
“Rasti është cilësuar ‘Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll, apo posedim i paautorizuar i armës’”, thuhet në njoftim.