Shkroi për incidentin në Shkup, Pacollin e godasin nga Presidenca: Biznesmen i ndikuar nga mjedisi rusofil
Lideri i AKR’së, Behgjet Pacolli sot ka reaguar në lidhje me incidentin e presidentes, Vjosa Osmani, në aeroportin e Shkupit, duke thënë se “nuk ekziston imunitet që mund të arsyetojë shmangien e kontrollit të çdo udhëtari që fluturon me një aeroplan, veçanërisht me aeroplan publik ku është në pyetje siguria e pasagjerëve të tjerë dhe qe nuk jane kryer procedurat paraprake te sigurisë” dhe se “është naive të thosh se telefoni mund të klonohet telefoni ndërsa kalon në makinerinë X-ray”.
Për këtë deklaratë ka reaguar këshilltari i Osmanit, Rinor Nuhiu, i cili tha se Pacolli po e arsyeton sulmin brutal ndaj Kosovës.
Po ashtu, Nuhiu e ka cilësuar Pacollin si “njeri që nuk ka ndjeshmëri për interesat shtetërore të Kosovës, dhe që arsyeton sulmin brutal ndaj Kosovës”.
“Ja kush ka qenë Ministër i Jashtëm, zv. Kryeministër dhe President (për fat të mirë vetëm për 30 ditë) i Kosovës. Ky njeri jo vetëm që nuk ka ndjeshmëri për interesat shtetërore të Kosovës, por edhe arsyeton sulmin brutal ndaj vendit tonë.
Interpretimet e tij për privilegjet dhe imunitetet janë tipike të një biznesmeni të ndikuar nga mjedisi rusofil. Prandaj, edhe injoron Konventat ndërkombëtare që rregullojnë udhëtimin e krerëve të shtetit e të cilat janë respektuar në çdo shtet tjetër ku ka udhëtuar Presidentja Osmani deri më tani”, tha ai.