Qeveria e Kurtit pagoi dy lobues mbi 270 mijë dollarë, veç dy takime sy me sy për marrëdhëniet Kosovë-ShBA
Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka paguar rreth 277 mijë dollarë kompanitë në pronësi të Afërdita Rakipit dhe Avni Mustafajt, për të lobuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo pagesë është bërë për periudhën nga korriku i vitit të kaluar deri në janar 2024. Çfarë takime patën ata?
Fillimisht, “REL” publikoi shpenzimet e personave të lartpërmendur, ku shihet se edhe pse në kontratën e tyre thuhej se do të lobonin brenda ShBA-së, shumica e “takimeve” janë realizuar në Kosovë.
Po ashtu, u pa se shifra të larta parash janë harxhuar në ushqim gjatë këtyre takimeve, si dhe nëpër udhëtime.
Siç shihet në të dhënat që janë marrë nga dorëzimi i të dhënave për aktivitetet sipas Aktit të Regjistrimti të Agjentëve të Huaj (FARA) në Departamentin amerikan të Drejtësisë, për gjashtë muaj janë bërë gjithsej gjashtë takime, nga dy personat e paguar nga MPJ e Kosovës.
Afërdita Rakipi për gjysmën e parë të kohëzgjatjes së kontratës së saj, ka pasurveç dy kontakte. Asnjëra prej tyre, siç shihet, nuk ka qenë takim sy me sy.
Më 21 shtator 2023, ajo ka shkëmbyer një email me Michael Schimd, drejtor rajonal në zyrën e senatorit Gary Peters. Si arsye për këtë komunikim, është dhënë:
“Komunikim për politikat e ShBA-së drejt Kosovës”.
Më 13 tetor 2023, ajo ka pasur një takim virtual me ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit, James O’Brien dhe zëvendësndihmës sekretarin e Shtetit, Garbeil Escobar ku është folur për “prezencën e shtuar të KFOR-it, progresin në dialogn mes Kosovës dhe Serbisë, llogaridhënien për krimet e eluftës dhe anëtarësimin në BE”.
Avni Mustafaj në anën tjetër, gjatë “lobimit” të tij gjashtëmujor, ka pasur gjithsej katër kontakte.
Më shtatë shtator, ai është takuar me një drejtor legjislativ të zyrës së Ritchie Torres, i quajtur Zach Grossman. Diskutimi ka pasur të bëjë me “ngjarjet e fundit në Kosovë, diskutim për Grupin për Çështjet Shqiptare”.
Më 21 shtator, ai ka pasur një takim sy me sy me emisarin Gabriel Escobar, ku siç thuhet ka pasur “diskutim për mundësitë e bashkëpunimit mes komuniteteve shqiptaro-amerikan dhe për ta përforcuar dialogun mes SHBA-së dhe Kosovës”.
Më gjashtë tetor 2023, ai ka pasur një takim virtual me përfaqësuesen republikane, Elissa Slotkin, ku është diskutuar rreth sulmit të Bajnskës dhe hapat e radhës.
Njëjtë si Rakipi, më 13 tetor 2023 ai ka pasur takim virtual me O’Brien e Escobar.
Kritikat për kontratën
Nënshkrimi i kontratës në fjalë ishte përcjellur me kritika të shumta, krejt kjo, për shkak të dyshimeve për lidhje të afërta mes personave në fjale dhe kryediplomates Gërvalla.
Rakipi ishte parë se kishte lidhje me ministren e Jashtme, Donika Gërvalla. Kjo e fundit e kishte etiketuar Rakipin në një postim si sfidë leximi në Facebook.
Rakipi në disa postime, ka qenë mbështetëse e kritikave po ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sidomos me qëndrimet amerikane rreth veriut.
“Shtetet e Bashkuara po gërmojnë kundër marrjes së zyrave të tyre nga kryetarët e zgjedhur në mënyrë demokratike. Ndoshta mund të kishte ndodhur ndryshe, por që kur ne e ndëshkojmë një vend për demokracinë e vet? Diçka seriozisht nuk po shkon me politikën amerikane.” – thuhej në një postim të rishpërndarë nga Rakipi.
Atë kohë, ish-krediplomati, Petrit Selimi, ishte shprehur si vijon:
“Ndërsa qeveria e Kosovës nënshkruan “kontrata konsultimi” me “servilë” në diasporë, të cilët janë në histori publike duke kritikuar qeverinë amerikane, qeveria serbe sapo nënshkroi kontratën e dytë të konsultimit, tani një marrëveshje 720,000 dollarë me prirjen demokratike @KARVComm për të “shpjeguar politikat e qeverisë serbe”. – ka shkruar ai.
Vlen të theksohet se kontrata ishte nënshkruar pak pas tensioneve në veri, për të cilat, Qeveria Amerikane kishte fajësuar Qeverinë e Kosovës, derisa kishte parlajmëruar pasoja në marrëdhëniet mes dy vendeve.