Fluturimi drejt Sllovenisë që e acaroi Presidenten – a do të mbyllet skandali në Aeroport me keqardhjen që shprehën në Shkup?
Trajtimi që i është bërë presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në Aeroportin e Shkupit derisa ka provuar të udhëtojë drejt Sllovenisë, ka pezmatuar raportet mes Prishtinës dhe Shkupit zyrtar. Në fakt në reagime është përfshirë vetë Presidentja dhe Ministria e Jashtme, Kryeministri Kurti personalisht, s’ka bërë ndonjë reagim. Që nga data 1 gusht kur edhe ka ndodhur incidenti, opinioni publik në të dy shtetet është gjendur në mes versionesh të ndryshme për ngjarjen e ndodhur në aeroport dhe mes pretendimeve të ndryshme për ta ngjyrosur ngjarjen edhe politikisht. Presidenca ka drejtuar gishtin kah autoritetet maqedonase për incidentin ndërkohë MPB atje që ka qenë më e zëshme dhe Aeroporti i Shkupit e kanë interpretuar ngjarjen vetëm në suaza të rregullave të kontrollit nëpër aeroporte që vlejnë për të gjithë që shfrytëzojnë aeroportin e Shkupit për fluturime. Faktori politik shqiptar në pozitë dhe opozitë, në Maqedoni të Veriut janë përfshirë në akuza mes vete rreth ngjarjes.
Një incident i ndodhur në aeroportin e Shkupit ku e përfshirë ka qenë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka acaruar edhe raportet ndër-institucionale mes dy shteteve. Nga Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut në një deklaratë të lëshuar për media kanë shprehur keqardhje për atë që i ka ndodhur presidentes Vjosa Osmani në aeroportin e Shkupit dhe kanë thënë se do të ndërmarrin veprime që diçka e ngjashme të mos përsëritet më.
“Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Kosovës kanë marrëdhënie dhe bashkëpunim dypalësh pozitiv dhe konstruktiv, pa çështje të hapura dhe me dialog të sinqertë dhe të vazhdueshëm në të gjitha nivelet dhe në të gjitha fushat. Në këtë kontekst, shprehim keqardhjen tonë për keqkuptimet e ndodhura gjatë udhëtimit të djeshëm të Shkelqësisë së Saj Presidentes së Republikës së Kosovës Vjosa Osmanit në aeroportin ndërkombëtar në Shkup”, kanë thënë në komunikatën e lëshuar nga MPJ e Maqedonisë së Veriut.
Lidhur me këtë incident të ndodhur në aeroportin e Shkupit është biseduar edhe në zyrën e kryediplomates kosovare, Donika Gërvalla-Schwarz.
Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai, i cili ka qenë duke qëndruar në Kosovë, ka bërë të ditur se ka shfrytëzuar rastin për të takuar ministren e Jashtme të Kosovës, me të cilën ka biseduar për incidentin në fjalë. Fetai ka thënë se do të bëhen hetime dhe do të ketë përgjegjësi për çdo shkelje që do të konstatohet.
“E informova Ministren Gërvalla se institucionet tona janë duke i kryer hetimet e nevojshme dhe se do të ketë përgjegjësi për çdo shkelje që do të mund të konstatohet nga incizimet e kamerave të aeroportit. I dëgjova shqetësimet e Ministres, e cila më njoftoi se sjellje të pahijshme karshi delegacioneve të larta të Republikës së Kosovës ka patur në mënyrë të përsëritur përgjatë viteve nga ana e personelit të sigurisë të angazhuar nga kompania në fjalë”, kishte shkruar Fetai në profilin e tij zyrtar.
Fetai gjithashtu ka përmendur ankesën e kryediplomates kosovare se kompania që menaxhon me sigurinë e Aeroportit të Shkupit ka pasur edhe herë të tjera tendenca të njëjta përballë zyrtarëve të lartë të shtetit të Kosovës.
Për incidentin në fjalë një version është dhënë edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut. Në një reagim të tyre thuhet se presidentes Osmani i është kërkuar vetëm telefoni për skanim.
Nga MPB e Maqedonisë së Veriut kanë përmendur edhe përfshirjen e sigurimit të kryekuvendarit, Afrim Gashi, në këtë incident, duke thënë se “kanë pyetur se kush i ka shkaktuar problem presidentes”. Sipas kësaj ministrie, ka pasur edhe shtyrje një punonjësi të pikës kufitare dhe se për këtë kanë nisur hetimet.
Vetë Afrim Gashi duke folur për ndërhyrjen, ka thënë se është bërë vetëm me qëllim të shmangies së incidentit.
“Angazhimi im ka qenë dhe do të jetë që të qetësojmë, të bashkojmë, të mos përçajmë, e të bëjmë incidente”, ka thënë kryekuvendari Gashi.
Kompania private TAV që menaxhon me aeroportin në reagimin e tyre kanë thënë se kanë respektuar rregullat dhe kanë thënë se kanë marrë udhëzime nga Ministria e Punëve të Brendshme që delegacioni i Kosovës t’i nënshtrohet kontrollit standard të sigurisë. Nga kjo kompani kanë mohuar se punëtori i tyre ka provuar të marrë telefonin e presidentes, Vjosa Osmani.
Për incidentin e ndodhur në aeroportin e Shkupit, gjatë ditës së premte është lëshuar një reagim nga presidenca e Kosovës, duke vënë theksin tek kërkesa e institucioneve të sigurisë në Aeroportin e Shkupit për të skanuar edhe telefonin e presidentes Vjosa Osmani.
Nga Presidenca e Kosovës kanë thënë se në reagimet e tyre edhe Aeroporti por edhe MPB e kanë pranuar që urdhri për një kontroll të tillë ishte dhënë nga vetë Ministria e Punëve të Brendshme, që sipas presidencës “bie ndesh në tërësi me rregullat e trajtimit të krerëve të shtetit sipas praktikave demokratike”
Presidenca e Kosovës kanë thënë se ajo që ka ndodhur në Shkup, nuk mund të shihet ndryshe “përveçse si një provokim i pastër dhe tendencë për të shkaktuar incident”.
Në këtë acarim ndër-institucional Kosovë-Maqedoni e Veriut është përfshirë edhe Ministria e Jashtme e Kosovës e cila ka dërguar një notë proteste për autoritetet maqedonase për incidentin me presidenten Vjosa Osmani.
Me datën 1 gusht, informacionet e para për atë që ka ndodhur në Aeroportin e Shkupit kanë qenë nga raportimet në media, më pas edhe një deklaratë e këshilltarit për media të presidentes, Vjosa Osmani, i cili ka dhënë versionin e Presidencës për atë që ka ndodhur në aeroportin e Shkupit gjatë kalimit në pikat e kontrollit.
Bekim Kupina nga stafi i Presidentes Osmani ka thënë se sigurimi i Aeroportit të Shkupit kishte provuar që t’ia marrë telefonin personal presidentes Osmani, për ta kaluar në skanim, gjë të cilën edhe nuk e ka lejuar presidentja Osmani. Kupina madje ka thënë se pas refuzimit për dhënien e telefonit, ka pasur përpjekje nga sigurimi edhe për ta shtyrë fizikisht presidenten Osmani
“Ne kundërshtim me praktikat ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, sigurimi i Aeroportit të Shkupit ka tentuar ta marrë telefonin personal të Presidentes. Presidentja nuk ka lejuar një gjë të tillë, sepse do të ishte shkelje e rëndë. Përkundër shpjegimit të rregullave qe ekipi i Presidentes ia ka bërë të ditur zyrtarit të aeroportit, ai ka tentuar fizikisht ta shtyjë Presidenten me ç’rast është detyruar që të reagojë Policia e Kosovës për ta hapur rrugën”, ka deklaruar Kupina për Gazetën Express.
Përveç telefonit, Kupina ka treguar se autoritetet maqedonase kanë kërkuar të kontrollohet edhe çanta e dorës së presidentes Osmani, kërkesë e cila është pranuar. Për këtë incident në aeroport, Kupinaka treguar se presidentja Osmani kishte njoftuar kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashin, i cili thuhet se ka çuar sigurimin e tij në aeroport për t’u marrë me situatën.
Sipas Kupinës, pasi presidentja Osmani kishte kaluar pikat e kontrollit dhe kishte hipur edhe në aeroplan, nisja drejt Sllovenisë është vonuar për më shumë se një orë, me arsyetimin se autoritetet sllovene s’po e lejojnë nisjen. Kupina kishte thënë se pas kontaktit me autoritetet sllovene, një arsyetim i tillë i autoriteteve maqedonase s’ka dalë të jetë i vërtetë.
Përveç Kupinës, një version për atë që ka ndodhur në aeroportin e Shkupit e ka dhënë edhe këshilltarja e presidentes Osmani, ish-deputetja Donika Kadaj-Bujupi. Ajo ka thënë se raportimet e bëra në mediat maqedonase se kinse presidentja ka refuzuar ta japë valixhen për skanim janë të pavërteta meqë presidentja Osmani s’ka pasur fare valixhe, por vetëm një çantë të dorës.
Sipas saj, presidentes Osmani iu kërkua që të skanojë çantën e dorës për të cilën siç tha ajo e futi në skaner.
“Në momentin që u futëm në aeroport në kundërshtim me Konventën e Vjenës dhe nene 23.7 të saj, presidentes iu kërkua që ta skanojë çantën e dorës. Policia e Kosovës e cila ishte në nivel të detyrës ua shpjegoi që presidentes që sipas praktikës ndërkombëtare, jo vetëm në rajon por edhe në botë duke filluar në këtë rast edhe në SHBA, e vendet jo njohëse anë e mbanë botës e në të gjitha vendet e BE-së asnjëherë nuk i kërkohet të skanohet çanta e dorës. Sipas Konventës së Vjenës është çantë diplomatike. Çanta është skanuar dhe nuk ka pas asnjë dyshim ”, kishte deklaruar këshilltarja e presidentes.
Kadaj Bujupi po ashtu ka thënë se sigurimi i aeroportit ishin “turrur” në drejtim të presidentes për t’ia konfiskuar telefonin.
“Telefonin presidentja e mban në dorë. Sipas të gjitha protokolleve të sigurisë ajo është mjet pune i presidentes në të cilat diskutohen edhe çështjet e sigurisë dhe në asnjë mënyrë për asnjë çmim, pavarësisht tendencave që mund të ketë nga shtetet tjera presidentja nuk e dorëzon telefonin e vet sepse në atë moment e shkel ligjin. Presidentja refuzoi me dorëzu në skaner. Donin me ia konfisku telefonin. Fizikisht tentonin me trup, merrshin turr, tentuan me ia marr telefonin, me ia konfisku…është e paprecedent, është skandaloze, është shokuese”, shpjegoi momentin që ndodhi një ditë më parë në aeroportin e Shkupit, Kadaj-Bujupi.
Ky incident ka shkaktuar reagime të mëdha si në Kosovë po ashtu edhe në Maqedoni të Veriut. Nga Shkupi janë drejtuar akuza drejt koalicionit VLEN që është aktualisht në qeveri në Maqedoninë e Veriut, me pretendimet se një sjellje e tillë në aeroportin e Shkupit ndaj presidentes së Kosovës lidhet me ndryshimet politike të ndodhura në Maqedoninë e Veriut.