Kompanisë “Sallahu SHPK”, gjykata ia ndalon pjesëmarrjen nëpër tender publike

Kompanisë “Sallahu SHPK”, gjykata ia ndalon pjesëmarrjen nëpër tender publike

Gjykata Themelore në Gjilan ka shpallur fajtor kompaninë “Sallahu SHPK” me përfaqësues Naim Sallahun, pasi e njëjta kishte kryer veprat penale keqpërdorim dhe mashtrim në prokurimin publik, shkruan Periskopi.

Rasti ishte inicuar nga Rrjeti i Organizatave Joqeveritare, AVONET.

Ndryshe përfaqësuesit të kompanisë “Sallahu” ju ndalohet pjesëmarrja në procedurat për dhënien e kontratave në prokurim publik për një vit.

Komunikata e plotë e AVONET:

Pas inicimit të rastit nga AVONET, Gjykata Themelore në Gjilan shpall fajtor  përfaqësuesin e kompanisë Sallahu, Naim Sallahun

Përfaqësuesit të kompanisë Sallahu, Naim Sallahut ju ndalohet pjesëmarrja në procedurat për dhënien e kontratave në prokurim publikpër një vit

Me datë 08.04.2024, Gjykata Themelore në Gjilan, përmes aktgjykimit PKR.nr.200/2023, ka shpallur fajtor përfaqësuesin e kompanisë Sallahu SHPK, Naim Sallahu, për kryerjen e veprës penale keqpërdorim dhe mashtrim në prokurimin publik nga neni 415 paragrafi 1 te KPRK-së.

Ky vendim meritor nga kjo gjykatë ka ardhur si rezultat i hulumtimit dhe inicimit të rastit nga AVONET, i cili është përcjellur me ngritjen e Aktakuzës nga Prokuroria Themelore në Gjilan.

AVONET gjatë hulumtimit të aktivitetit të prokurimit publik të titulluar asfaltimi i rrugës në Viti- Kërbliq, faza e dytë , kishte vërejtur se operatori ekonomik Sallahu tek dokumenti i titulluar deklarata nën betim nuk kishte vepruar në përputhje me dispozitat e legjislacionit primar në fushën e prokurimit publik, konkretisht me nenin 65 të LPP-së, ku kishte tentuar për të mashtruar autoritetin kontraktues (Komuna e Vitisë), duke mos prezentuar një aktgjykim të plotëfuqishëm i cili e ka shpallur fajtor personin tashmë të dënuar, e që sipas paragrafit 3.1 dhe 3.6 të nenit 65 të LPP-së, i cili në mënyrë decidive tregon format dhe mënyrat e aplikimit, në rast se drejtori- pronari, inxhinieri i kontratës apo dikush nga stafi ka qenë i dënuar në 10 vitet e fundit, atij i ndalohet që të merr pjesë në aktivitete të prokurimit. Kështu që sipas Prokurorisë Themelore në Gjilan personi në fjalë me rastin e aplikimit në këtë aktivitet të prokurimit, ka përmbushur të gjitha elementet e figurës së veprës penale  keqpërdorim dhe mashtrim në prokurimin publik nga neni 415 paragrafi 1 te KPRK-së.

AVONET është jashtëzakonisht e lumtur me punën e zhvilluar nga institucionet e drejtësisë, që në rastin konkret kanë vepruar tërsisht në përputhje me kompetencat dhe autorizimet e tyre ligjore, duke vendosur zbatim të plotë të ligjshmërisë dhe shqiptim të sanksionit meritor për kryersin e veprës penale në rastin konkret.

Gjithashtu, AVONET fton të gjithë operatorët ekonomik të cilët aplikojnë në aktivitete të prokurimit, të inicuara nga autoritetet publike të kenë kujdes në zbatimin e plotë të dispozitave ligjore të aplikueshme në Republikën e Kosovës, e sidomos të dispozitave pozitive të legjislacionit primar dhe sekondar në fushën e prokurimit publik.

 

Shpërndaje në: