Rënia e Vjosa Osmanit
Shkruan: Ermal Mulosmani
Dje Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është poshtëruar publikisht në Aeroportin e Shkupit nga autoritetet policore maqedonase. Ky është fakt. Arsyeja pse kjo ka ndodhur është përtej dijenive të mia të momentit. Në fakt nuk është çështja e Vjosës.
Është poshtëruar shteti i Kosovës.
Nëse një autoritet kufitar nuk zbaton proçedurat publike të trajtimit të personaliteteve më të larta të një vendi, problem nuk janë as autoriteti kufitar e as personaliteti publik; veprimi është tregues i një përçmimi nga një shtet drejt një shteti tjetër. Pra, shteti i brishtë i Maqedonisë, që sipas censusit të 2021-shit ka 25% shqiptarë, ka bërë një provokim të hapur. Nuk jam në gjendje të analizoj shkakun por një gjë jam i sigurtë: reagimi i shtetit të Kosovës ka qenë joadekuat.
Një thirrje urgjente e Ambasadorit të kësaj Republike dhe dorëzimi i një note proteste (ndoshta ka ndodhur dhe nuk jam në dijeni) duhet të ishte minimalja. Pastaj paralajmërimi për ndërprerjen e mardhënieve diplomatike mes dy vendeve dhe dhënien e një afati kohor prej dy javësh shtetit maqedon për të dhënë sqarime të detajuara për këtë rast. Nëse në përfundim të hetimeve rezulton se faji është i autoriteteve maqedonase, duhet kërkuar dorëheqja e Ministrave të linjës.
Ky është qëndrim dinjitoz. Para se ta bëjë me Amerikën le të fillojë ta bëjë me Maqedoninë.
Mirëpo asgjë e këtillë duket se nuk do të ndodhë. Kryeministri Albin Kurti, njeriu më i fuqishëm politikisht në Kosovë, duket të mos jetë shqetësuar fare. Përkundrazi. Indiferenca totale tregon edhe për një lloj kënaqësie të ligë, por aq të madhe, sa është gati ta kapërdijë edhe fyerjen e Kosovës, boll të mos i dalë në mbrojtje Osmanit. Tashmë raportet mes dy njerëzve më të votuar të Kosovës janë inekzistente.
Në harkun e dy tre ditëve Presidentja Osmani pati një protagonizëm aspak pozitiv, tregues i nervozitetit të saj në rritje për zvogëlimin e peshës politike. Mes këshillave të faktorëve ndërkombëtarë dhe sjelljes moskokëçarëse, prej sovrani të Albin Kurtit, Vjosa zgjodhi të bënte moderuesen. Por moderuesit janë viktimat e para të sundimtarëve. Për ta i vetmi argument është bindja absolute. Prandaj Vjosa sot është viktima perfekte.
** ****
Dy ditë më parë arriti të kishte një reagim prej adoleshenti të llastuar ndaj një deklarate foshnjarake të Ministres së Jashtme të Kosovës, zonjës Donika Gërvalla. Deklarata e Ministres Gërvalla, një njeri i karakterizuar prej gafash të nëjpasnjëshme në komunikimin publik, ishte një përçartje për të krijuar një bejtehumor me referenca repi modern. Njerëzit që prodhojnë humor përmes sjelljes së tyre serioze janë të prirur të prodhojnë seriozitet në çdo tentativë të tyre për humor. Kështu ndodhi edhe me Ministren Gërvalla. Ajo, në rolin e një moderatoreje koncertesh, e etiketoi një këngë të Dafina Zeqirit si kënga e Presidentes “Llafe Llafe”.
Medemek diss. Më shkaktoi keqardhje. Sesi, një grua tek të 50-at, arrin të ketë këtë nivel paraadoleshent adrenaline, për të argëtuar Kryeministrin e saj, duke fyer një grua tjetër, aq më shumë promovuesen e saj në politikë, ky do të më mbetet si referencë transformimi në të ardhmen.
Por akoma pa kaluar dy ditë vjen edhe reagimi presidencial. Presidentja Osmani, emocionale, inatçore dhe po aq adoleshente sa ish vartësja e saj në Parti, pati një reagim, pak të them zhgënjyes. Në vend që ta linte pa kurrfarë komenti, siç e meritonte, ajo ra në nivelin e banalitetit të rrugës, duke prodhuar një diss po aq pa shije e pa kurrfarë klasi sa e bëri bejten e Ministres të dukej interesante.
Çfarë komedie banale! Dy njerëzit që duhet të përfaqësojnë Kosovën në nivel ndërkombëtar janë dy gra që shajnë njëra tjetrën në publik me disse reperash rruge!
******
Për rënien e Vjosës nuk ia ndien askujt. Kolegët e saj partiakë, ish vartësit e dikurshëm, janë afruar me Shefin e ri e pushtetplotë. Zgjedhjet janë për pak muaj dhe vetëm ai mund të jetë garanti për karrierën e tyre. Osmani tashmë është në vitin e katërt të mandatit si President i Kosovës një post honorifik me kompetenca të kufizuara ekzekutive. Të dytët e braktisin përkrahësit e VV, një amalgamë njerëzish idolatrikë që ushqehen me “gjakun” e viktimave kryeminsitrore dhe që janë gati për linçim sapo të kjepet direktiva. Të tretët janë kundërshatrët mediatikë të Kurtit. Në pamundësi për të dëmtuar Kurtin ata kompensohen me kënaqësi të vogla si poshtërimi që Kurti i bën Osmanit. Dhe Kurti ua jep me bujari kënaqësi të tilla duke u dhënë viktima minore në këmbim të spostimit të vëmendjes.
Të katërtit janë Partitë Opozitare. LDK -ja ndoshta sheh te rënia e peshës së Osmanit një kthim elektorati në radhët e veta. Ndërsa për PDK-në arsyet janë krejt të kuptushme: Vjosa Osmani ka qenë personazhi më i artikuluar politikisht kundër eksponentëve të UÇK-së.
Në këtë kuptim çdonjëri prej faktorëve politikë të Kosovës e ka një arsye për të mos u shqetësuar pse Vjosa Osmani është në rënie të lirë politike. Ajo ka qenë personazhi i vetëm femëror që ka arritur majën në një ambient tmerrësisht konservator dhe patriarkal. Nuk është puna për mjedisin politik por edhe më gjerë, atë mediatik e public. Të gjithë sot janë bërë me Kryeminsitrin: Për ta nuk ka rëndësi as poshtërimi i Kosovës, boll të zhduket Vjosa Osmani nga politika. A ka meritë Vjosa në këtë perceptim? Padiskutim që po. Por nuk është ky momenti për ta gjykuar. Është momenti për të reaguar në emër të shtetit të Kosovës.