Pacolli për skandalin me Presidenten Osmani: S’ka asnjë konventë që lejon shmangien për të treguar pasaportën dhe për kontrollin e sendeve
Ish-presidenti i Kosovës dhe kryetari i tanishëm i AKR-së, Behgjet Pacolli ka dhënë versionin e tij për skandalin diplomatik në Shkup ku protagoniste ishte presidentja Osmani. “Baci” që shquhet për daljet e hershme në nivele të larta biznesi dhe diplomatike, ka thënë për Indeksonline se nuk ekziston asnjë konventë që favorizon ndonjë diplomat apo shmang kontrollin për liderët apo politikanët. “Tregimi i pasaportes dhe nenshtrimi i kontrollit te sigurisë jo vetem qe jane obligim ligjor por edhe edukate dhe rrespekt ndaj udherareve qe udhetojne sebashku me ju!
Që kur kam filluar të udhëtoj, asnjëherë nuk kam pretenduar të shmang rregullat e udhëtimit, pavarësisht pozitës dhe statusit që kam mbajtur. Asnjëherë nuk kam pranuar të kaloj pikën e kontrollit pa mundësuar që sendet e mia të kalojnë nëpër makinat e kontrollit me rreze X, edhe pse udhëtoj ekskluzivisht me aeroplanin tim. Përveç obligimit ligjor, skanimi i sendeve është gjithashtu një detyrim moral dhe respekt ndaj pasagjerëve të tjerë. Pse dikush duhet të mendojë se mund të ndodhë diçka gjatë udhëtimit me aeroplan, duke e ditur se jo çdo pasagjer ka lejuar që sendet e tij t’i nënshtrohen kontrollit me rreze X?
Asnjëherë nuk kam kaluar pikat kufitare pa ofruar pasaportën time (edhe pse diplomatike) për të dëshmuar se udhëtimi ka ndodhur.
Këto dy gjëra, ofrimi i pasaportës dhe kontrolli i sigurisë, kanë qenë pjesë e edukatës sime të udhëtimeve!
Ju them me siguri se nuk ekziston asnjë konventë që lejon shmangien e detyrimit për të treguar pasaportën dhe për t’iu nënshtruar kontrollit të sendeve, veçanërisht jo Konventa e Vjenës. Këto dy veprime, tregimi i pasaportës dhe kontrolli i sendeve, mund të evitohen vetëm kur personi me imunitet paraprakisht, para kalimit të pikës kufitare, kryen detyrimin e deklarimit me shkrim të sendeve dhe dërgon pasaportën për kontroll.
Shpeshherë, personit me imunitet i duket se nuk ka pasur kontroll të këtyre dy gjërave, por në realitet protokolli i shtetit nikoqir i kryen këto veprime në bashkëpunim me autoritetet aeroportuale, duke lehtësuar sa më shumë hyrjen dhe daljen e mysafirit me imunitet, por kjo nuk ndodh në asnjë aeroport tranzit nëse stafi i personit me imunitet nuk i ka kryer veprimet paraprakisht” ka thënë Pacolli për Indeksonline.