LVV afër që ta çojë ish-kandidatin e vet për deputet udhëheqës të Agjencisë Tatimore të Kosovës

LVV afër që ta çojë ish-kandidatin e vet për deputet udhëheqës të Agjencisë Tatimore të Kosovës

Kryesuesi i Bordit në Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP), ish-kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet, Mentor Hyseni, të enjten e 1 gushtit do të intervistohet si kandidat për Drejtor të Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).

Hyseni, përveç që ish-kandidat për deputet nga radhët e VV-së, është e njohur edhe afërsia e tij me zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Bislimi.

Albanian Post ka komunikuar me Hysenin, mirëpo ai ka refuzuar që të përgjigjet, duke mos e pohuar e as mohuar se partia përmes të cilës ka synuar postin e ligjvënësit ka ndikuar që ai të hyjë në garë për të marrë drejtimin e ATK-së.

“Unë a? Jo, nuk e di”, tha fillimisht Hyseni për AP. “Kjo është shumë pyetje personale. Dërgomi pyetjet nëse do me t’u përgjigj zyrtarisht të përgjigjem”, shtoi ai dhe e mbylli telefonin.

Kreu aktual i Bordit të AKP-së, i cili me ndihmën e pushtetit po tenton që të marrë drejtimin e ATK-së, kishte dështuar që të zgjidhej deputet, meqë për një gjë të tillë i mungonin votat.

Por, meqë s’u deputet, me të ardhur ne pushtet partia e tij – në mandatin e parë – e kishte emëruar Hysenin udhëheqës të përkohshëm të bordit të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit ‘Prishtina’.

Procesi i zgjedhjes së drejtorit të ri të ATK-së, nga organizatat që e monitorojnë këtë proces, është cilësuar si jo transparent.

Organizata “CorrWatch”, që financohet nga Mbretëria e Bashkuar, e kishte akuzuar Ministrinë e Financave për mungesë të transparencës në procesin e rekrutimit për pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Administratës Tatimore.

Më 25 korrik, përmes një komunikate për media, kjo organizatë kishte kërkuar që të rishikohet aplikimi i kandidatëve.

“Në rastin e ATK-së, ‘CorrWatch’, ka kërkuar që t’i mundësohet rishikimi i aplikacioneve të kandidatëve por ministria ka ofruar qasje vetëm në një raport bazik të tyre, dhe nuk ka lejuar qasjen në dosjet e kandidatëve. Ndërsa sa i përket pozitës së Sekretarit të përgjithshëm në MFPT, ‘CorrWatch’ nuk është ftuar për ta monitoruar procesin”, thuhet në reagim e tyre.

Sipas tyre, ky proces në formën siç është rrezikon që këto procese të mbyllura të jenë subjekt i ndikimeve politike dhe personale.

Drejtori aktual i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) është Ilir Murtezaj, i cili udhëheqë ATK-në që nga viti 2019.

Shpërndaje në: