Incidenti në Shkup ku u përfshi Presidentja, reagojnë nga Kabineti i Afrim Gashit: Ekipi i Kryetarit shkoi për ta qetësuar situatën
Kabineti i kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, mohon përfshirjen e pjesëtarëve të sigurimit të tij personal në incidentin e sotëm në aeroportin e Shkupit.
Sipas njoftimit të tyre thuhet se anëtarët e ekipit të sigurimit të Kryeparlamentarit Gashi kanë qenë të pranishëm aty vetëm për ta qetësuar situatën e krijuar nga një keqkuptim mes sigurimit të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe pjesëtarëve të sigurimit të aeroportit.
“Personeli i sigurimit të kryeparlamentarit Gashi, të cilët janë të punësuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, kanë ndërhyrë për ta qetësuar situatën dhe për t’i udhëzuar kolegët e tyre për procedurat e sigurisë gjatë vizitës së personave VIP.
Me këtë rast theksojmë se çdo raportim që e sugjeron të kundërtën është tendencioz”, thuhet në njoftim.
Tutje, kabineti i kryekuvendarit maqedonas kanë bërë thirrjes edhe mediave që të verifikojnë informacionin e tyre para se të publikojnë pretendime të tilla dhe të veprojnë me përgjegjësi profesionale dhe etike.