Musliu: Zbulimi i identitetit të zyrtarëve të AKI-së, rrezik për operacionet e tyre

Musliu: Zbulimi i identitetit të zyrtarëve të AKI-së, rrezik për operacionet e tyre

Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Ganimete Musliu, bashkë me anëtarët e këtij komisioni kanë takuar drejtorin e AKI-së, Petrit Ajetin.

Musliu tha se është kërkuar nga Ajeti dhe vartësit e tij që të jenë të kujdesshëm, të përgjegjshëm dhe mbi të gjitha profesional në ngjarjet që janë zhvilluar nga AKI-ja dhe për AKI-në.

“Po ashtu si Komision Parlamentar kemi shprehë shqetësimin tonë lidhur me publikimin e identitetit tê pozitave te disa zyrtarëve te Agjencisë duke konsideruar si veprim të dëmshëm dhe pengesë për punë profesionale”.

“Zbulimi i paautorizuar i identitetit tê zyrtarëve te AKI-se dhe informacioneve tjera te ndjeshme, përveç që paraqet shkelje ligjore, është edhe pengesë për operacionet e AKI-së e në disa raste edhe mund të rrezikoj jetën zyrtarëve të saj”, shkroi Musliu.

Më tej, Musliu kërkoi nga qytetarët dhe mediat që të jenë të vëmendshëm dhe të tregojnë kujdes kur raportojnë apo komentojnë çështje të ndjeshme që përfshijnë punonjësit dhe metodat e punës së AKI-së, meqë sipas tij, kjo mund ta komprometojë sigurinë dhe efikasitetin e operacioneve të AKI-së.

“Komisioni mbetet i përkushtuar për mbikëqyrjen efikase të AKI-se dhe thekson se AKI-ja dhe institucionet tjera në Kosovë janë të obliguara të bashkëpunojnë dhe ndihmojnë njëra-tjetrën në kryerjen e detyrave të tyre dhe të koordinojnë aktivitetet brenda kompetencave të veta, në harmoni me ligjet dhe rregulloret në fuqi në lidhje me mbrojtjen e burimeve, metodave dhe informacionit tjetër të klasifikuar”, shkroi Musliu.

Shpërndaje në: