Pse u prishën raportet e Vjosa Osmanit me Kurtin, Konjufcën dhe Gërvallën? – Deklaratat më brutale mes krerëve të shtetit

Pse u prishën raportet e Vjosa Osmanit me Kurtin, Konjufcën dhe Gërvallën? – Deklaratat më brutale mes krerëve të shtetit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nuk është konsultuar dhe dakorduar në lidhje me letrën e zotimit të Qeverisë për hartimin dhe dërgimin e draft-statutit të asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese. Kjo, ka çuar deri te prishja e raporteve me kryeministrin Kurti dhe veçanërisht me ministren Donika Gërvalla, shkruan Periskopi.

Donika Gërvalla, e cila njëherësh është edhe kryetare e partisë Guxo, parti të cilën e kishte themeluar Osmani para se të bëhej presidente ia kishte dërguar presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Theodoros Rousopoulos, më 16 maj, një letër që njoftonte se po përgatitin draft-statutin për Asociacionin.
Në këtë letër, Gërvalla, ka thënë se Qeveria e Kosovës është duke përgatitur një draft-statut për Asociacionin, të cilin është zotuar ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të majit.

Dërgimi i draft-statutit në Gjykatën Kushtetuese kishte qenë kusht i disa vendeve anëtare, duke përfshirë edhe Francën dhe Gjermaninë, për ta përfshirë antarësimin e Kosovës në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës më 17 maj.

Por, pavarësisht gjithë kësaj, Kosova dështoi të përfshihej në agjendën për anëtarësim në Këshill të Evropës, dhe letra u konsiderua si e vonshme.

Përveç me Kurtin dhe Gërvallën, Presidentja Osmani duket se i ka prishur raportet edhe me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, më 29 maj, tha se mosinformimi i presidentes ishte i paqëllimshëm pasi ajo ishte në vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Për shkak të largësisë, jo çdo hollësi e cila ndryshonte çdo minutë në ditën e votimit që e kishim nga ana e Këshillit të Ministrave për Këshill të Evropës, mund të ndahet dhe koordinohet”, kishte thënë Konjufca në një deklarim për gazetarë.

Këtë deklarim të kryeparlamentarit Konjufca, presidentja Vjosa Osmani e quajti ‘qesharak’, pasi që, sipas saj, largësia nuk ka qenë problem.

“Të thuhet që kjo në çfarëdo mënyre paska pasur të bëjë me largësinë, për mua është diçka që nuk dua ta besoj që dikush e thotë, sepse nuk ka fare të bëjë me realitetin dhe tregon që në njëfarë mënyre, po tentohet që për këtë moskoordinim për një çështje kaq kapitale, faji të lihet te Presidenca”, kishte thënë Osmani.

‘Diss-at’ e Presidentes Osmani dhe ministrës Gërvalla përmes këngëvë të artistës Dafina Zeqiri

Ajo që është interesante dhe në të njëjtën kohë qesharake është se si dy ndër figurat më të mëdha të vendit, njëra Presidente e tjetra ministre për Punë të Jashtme, po ‘disiraten’ me njëra tjetrën përmes këngëve të artistës kosovare, Dafina Zeqiri, përcjell Periskopi.

Ishte Donika Gërvalla e para ajo që nisi ta thumboj presidenten Vjosa Osmani. Në koncertin që u mbajt të martën në sheshin “Skënderbeu”, Gërvalla u paraqit pas këngëtares Dafina Zeqiri.

“Pasi Dafina e këndoi këngën e presidentes llafe-llafe dëgjuam kryeministrin dhe mesazhin e tij, më mbetet të ju falënderoj nga zemra”, deklaroi Gërvalla.

Sot, Presidentja Osmani ia ktheu këtë ‘diss’ Gërvallës me këngën e re të Dafina Zeqirit.

“Për detaje rreth raporteve tona flasim ndonjëherë tjetër. Por Dafina e ka një këngë tash që e ka publiku ‘me kast me kast mjeshtër i mashtrimeve, me kast me kast përsëritës i gabimeve’. Ka edhe kangë tjera Dafina, përndryshe përpunim i këngës së Gilit”, deklaroi Osmani.

Vlen të theksohet se prishje të raportit, përvec me Gërvallën, Presidentja Osmani duket se i ka si mos më keq edhe me kryeministrin Albin Kurti.

Ky i fundit nuk erdhi në takimin konsultativ për datën e zgjedhjeve, teksa Osmani nuk e pranoi nënkryetarin e partisë së VV-së, Glauk Konjufcën ‘se nuk deshi t’i thyente parimet’.

Ajo para gazetarëve tha se Kurti është në zyrë dhe i sugjeroi të njëjtit të shkojnë ta pyesin kryeministrin pse nuk mori pjesë. /Periskopi/

 

Shpërndaje në: