“Lajmi” shpifës ndaj Periskopit: Komisioni i RTK’së nis intervistimin e personave të përfshirë, do të hetohet edhe editimi në lajmin e portalit
Një Komision brenda RTK-së u krijua një javë më parë, me qëllimin për të krijuar një raport rreth raportimit skandaloz ku dy media të Kosovës, u etiketuan se paguhen nga Serbia.
Komisioni i cili përbëhet nga tre gazetarë me përvojë në Radio Kosovë, ka filluar punën edhe zyrtarisht që nga dita e hënë.
Lajmi shpifës i RTK-së ndaj Periskopit, emërohet një komision ad-hoc
Sipas burimeve të Nacionales, ky komision i RTK-së tashmë ka filluar me intervistimin e të gjithë zyrtarëve të televizionit publik, që ishin përfshirë në “lajmin” kundër Periskopi dhe Nacionales.
Burimet kanë thënë se ky komision e ka hetuar një listë me të gjithë personat që do të intervistohen.
“Komisioni e ka filluar punën. Po takohen thuajse çdo ditë. E kanë hartuar një listë, dhe kanë nisur me intervistimin e të gjithë personave që kanë qenë të përfshirë”, ka thënë një burim në kushte anonimiteti.
Gjithashtu komisioni ka krijuar një tjetër ekip të teknologjisë informative, i cili do të hetojë aspektin e ndërhyrjes në portalin e RTK-së.
Kjo pasi portali RTKLive fillimisht i kishte përmendur me emër Nacionale e Periskopin, e më pas teksti ishte edituar duke u larguar emrat.
“Është krijuar edhe një komision i IT-së për të parë nëse ka pasur, dhe kush e ka bërë ndërhyrjen në sajt”, ka thënë ky burim.
Burimet i kanë thënë gazetës se puna e komisionit mund të zgjasë pak, megjithatë raporti do të evidentojë se cilat kanë qenë shkeljet.
Më pas, vendimi i takon bordit dhe menaxhmentit.
“Puna e komisionit do të jetë të tregojë nëse ka pasur shkelje, dhe cilat kanë qenë ato në këtë raportim. Çështja e masave më pas i takon bordit e menaxhmentit”, kanë thënë burimet për Nacionalen.
Janë bërë 8 ditë që kur Bordi i RTK-së u zotua për ndërmarrjen e masave lidhur me lajmin skandaloz ku dy media të Kosovës u raportua se paguhen nga Serbia.
Pavarësisht krijimit të komisionit hetimor, deri më tash ende nuk dihet se çfarë ka bërë ky komision.
Asnjë prej përgjegjësve nuk ka dhënë përgjegjësi. Madje, drejtori i TV-së, militanti Rilind Gërvalla, e ka mbrojtur fuqishëm raportimin skandaloz.
“U.d drejtoresha ka informuar bordin që do të formojë një komision profesional për ta sqaruar situatën në detaje dhe për ta ndriçuar përgjegjësinë editoriale për këtë lëshim dhe do të merr masa rigoroze konform ligjit dhe akteve të brendshme të RTK-së”– thuhej në komunikatën e Bordit të RTK-së.
U.D Drejtoresha e dorëhequr, Zana Spahiu, doli me një reagim ditën e djeshme. Megjithatë, reagim të zbehtë. Ajo nuk e tha asnjë fjalë për raportimin skandaloz, madje indirekt pati disa fjalë për gazetarët e distancuar nga ky raportim.
“Shpesh harrojmë se çka realisht është RTK, shpesh harrojmë që jemi televizion dhe radio. Shpesh harrojmë se jemi konkurent me mediume tjera vendore dhe se duhet të bëjmë maksimumin të dalim të parët në shikueshmëri. Nganjëherë kam frikë se kemi harruar ta bëjmë dallimin në mes të kritikës që vjen nga taksapaguesi dhe dëmtimin që vjen nga konkurenti”, tha ajo, pavarësisht se as Nacionale as Periskopi nuk janë konkurent, pasi nuk janë televizione.
“Papritmas, sikur rrufeja, ndodhi kjo për të cilën u bë një reagim i madh, kryesisht nga jashtë, nga gazetarë e shoqëri civile”, shkroi Spahiu, duke mos thënë asnjë mendim të saj për skandalin që ndodhi.
“RTK është institucion nga i cili asnjëherë nuk duhet të distancohemi me lehtësi!”, tha ajo, duke aluduar në gazetarët e distancuar e duke harruar protestat e distancimet në të kaluarën.
Megjithatë, reagimet nuk janë ndalur brenda RTK-së e jashtë RTK-së. Ushtruesja e detyrës së kryeredaktores në Radiotelevizionin e Kosovës, Leonora Bërbatovci u lajmërua para pak ditësh me një shkrim pas shumë reagimeve, megjithatë, nuk e tha asnjë fjalë për “fake-neësin” e lëshuar nga transmetuesi publik.
“Në sy u pamë edhe mëngjesin e së hënës. Por prej mesditës nuk u pamë më. Madje as s’u dëgjuam e lëre më që s’u shkruam fare. Të shkruara i pashë vetëm distancimet. Disa i lexova e disa të tjerë i pashë vetëm si “folloëers” të nismëtarëve” – shkroi ajo.
Bërbatovcit i reagoi një kolege e saj e RTK-së. Pranvera Munishi, redaktore në RTK, i reagoi Bërbatovcit për ftesën për debat.
“Duke te njohur mire, thelle jam e bindur qe je e vetedijshme per shkeljen profesionale qe eshte bere ate nate, prandaj une jam distancuar, pasi qe me dhjetra here si pergjegjese editoriale kam refuzuar te identifikohem me lajme te cilat i ka gatuar politika.” – ka shkruar ajo.
Pas publikimit të lajmit skandaloz, RTK-ja është kritikuar me të madhe nga organizata të huaja e vendore, nga gazetarë e analistë të cilët thonë se RTK-ja është e kapur nga pushtetit.
Organizatat joqeveritare dhe aktivistët kanë kërkuar dorëheqjen e Bordit të RTK-së pas raportimit skandaloz për mungesë të pavarësisë dhe profesionalizmit në ushtrimin e mandatit të tyre.
“Radio Televizioni i Kosovës (RTK) ka ri publikuar një informacion dezinformues me qëllim që të sulmojë mediat online Nacionale dhe Persikopi nën pretendimin që kontrollohen nga Serbia. Kjo narrativë e ushqyer ndër vite nga partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje ka për qëllim denigrimin e gazetarëve dhe cytjen e qytetarëve kundër tyre, gjë që përbën rrezik për sigurinë e tyre.” – thuhej në reagimin e tyre.
Gjithashtu, edhe organizata ndërkombëtare “Safe Journalist” ka reaguar ashpër pas sulmeve nga pushteti ndaj Nacionale dhe Periskopit.
“Rrjeti SafeJournalists dënon ashpër fushatën e shpifjeve të nisur nga Lëvizja Vetëvendosje, si dhe shpërndarjen e “lajmeve” të tilla që sulmojnë mediat tjera në Transmetuesin Publik të Kosovës RTK. I bëjmë thirrje kryeministrit Kurti që të dënojë këtë fushatë shpifëse dhe të distancohet nga këto akuza të pabaza. Për më tepër, ne inkurajojmë mediat e prekura që të ndjekin veprime ligjore kundër atyre që janë përgjegjës për ngritjen e akuzave të tilla të rënda, duke përfshirë burimet kryesore që qëndrojnë pas tyre” – thuhej në reagimin e tyre.
PDK-ja ka bërë të ditur se do të iniciojë mocion për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të RTK-së.