Pa paga dy muaj: S’ka rezultat nga takimi me Sindikatën, minatorët nuk pranojnë t’i kthehen punës
Që nga ora 7 e mëngjesit, minatorët e Trepçës u mblodhën në minierën e Stan Tergut. Arsyeja e mbledhjes nuk ishte për të filluar punënë e tyre të përditshme, por për të kërkuar realizimin e të drejtës së pagës. Që dy muaj, minatorët e kësaj ndërmarrjeje janë pa paga.
Mbledhja ishte goxha e tensionuar, me minatorët që kërkonin vetëm një gjë: ekzekutim të pagës. Në mbledhje, pos minatorëve, ishte edhe kryeshefi ekzekutiv i Trepçës, Bashkim Kurti. Përkundër që mbledhja zgjati gati tri orë, nuk është se u arrit ndonjë marrëveshje.
Minatorët nuk pranuan të kthehen në punë pa u ekzekutuar pagat e tyre. Në fjalën e tij, Ibrahim Jonuzi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Minatorëve, i tha kryeshefit ekzekutiv të Trepçës, Bashkim Kurti, se minatorët dëshirojnë pagën e tyre.
“Me shku si minator se jemi duke e kërkuar pagën. Nuk jemi t’u bo politikë, pagën aman, pagën se na kanë mbetur fëmija pa bukë” – ka thënë Januzi.
Në të njëjtën linjë ishin edhe shumë minatorë të tjerë, të cilët morën fjalën gjatë kësaj mbledhjeje të gjatë.
“Krejt kënga e njëjtë, premtime sa dush, fjalë të mira. Plani afatgjatë është shumë i mirë, po këtë ngërç qysh me zgjidh. Këta kallxona” – i tha një minator kryeshefit të Trepçës, i cili ia ktheu se “janë në pritje të aprovimit”.
Në fjalën e tij, Kurti u premtoi se zgjidhja është afër.
“Zgjidhja është afër, po besoj që është afër. Si kryeshef ekzekutiv, unë ju kisha lutë që kthejuni punës” – tha Kurti.
“Unë e di situatën, atë ditë që ju e keni marrë pagën, atë ditë e kam marrë edhe unë pagën. E di që jemi keq” – vazhdoi Kurti, ndërsa një minatory ia ktheu se “ti e ke marrë 3 mijë euro, ne a e marrim?”
Një minator tjetër, që dukej goxha i emocionuar në revoltën e tij, ishte krejtësisht i qartë përballë kryeshefit Kurti.
“Pa ma qitë rrogën, pasha qata tre fëmijë, nuk kthehem në punë” – tha minatori, fjalët e të cilët u përkrhaën në mënyrë unanime përmes duartrokitjeve.
Sjellim ndër mend që këtë mbledhje e kishte thirur Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës.
“Të nderuar minatorë,
Duke pasur parasyshë situaten e fundit të krijuar në ndërmarrjen Trepca Sh.A. dhe vështërsit financiare me të cilat jemi duke u ballafaquar vazhdimisht, me qëllim të gjetjes së ndonjë zgjidhje konkrete dhe afatgjate, ju ftojmë që nesër nga ora 07:00 të takohemi në menzem e minieres në Stan Tërgut.
Qëllimi i këtij takimi është diskutimi mbi situatën e rëndë në të cilen ndodhemi ne minatorët dhe miniera e StanTergut” – ishte shkruar në komunikatën e kësaj sindikate.