Berisha për sulmin përmes RTK-së, ndaj Periskopit dhe Nacionales: Krim që nuk duhet të kaloj pa ndëshkim
Avokati Besnik Berisha në emisionin Pressing në T7 ka folur në lidhje me skandalin e publikuar në RTK, ku Periskopi e Nacionale u sulmuan, duke rrezikuar jetën e gazetarëve dhe punonjësve të këtyre dy mediumeve, nga një lajm i rremë, i marë nga një portal boshnjak.
Sipas Berishës, ajo që ndodhi në RTK është një krim që nuk duhet të kaloj, pa u ndëshkuar.
“RTK-ja linçi dy media prestigjioze, absolutisht skandal, absolutisht krim që nuk duhet të kaloj pa ndëshkim. Këta njerëz në mënyrën qysh e kanë fabriku. Kush e ka lexu Slobodna Bosnën, e din që ky portal krijon lajme të tilla. Unë e kam pasë rast që në gjykimin e Naser Kelmendit, me mu prezantu artikuj të këtij portali që janë porositë nga vrasës serik që kanë qit artikuj atje. Bash te ky medium. Ka pasë vrasës serik, mercenar, që kanë plasu lajme aty, për me kriju alibi. Por shqetësuse është se ai lajm kaloi ka zëdhënësi i popullit, pra Televizioni Publik.” – ka thënë Berisha.