Kurti nuk mundi ta bind as ‘akademikun’ e tij, Agim Bahtirin, për të investuar në Kosovë – djemtë e ish-kryetarit të Mitrovicës nisin ndërtimin e një fabrike në Holandë

Kurti nuk mundi ta bind as ‘akademikun’ e tij, Agim Bahtirin, për të investuar në Kosovë – djemtë e ish-kryetarit të Mitrovicës nisin ndërtimin e një fabrike në Holandë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka arritur ta bind as ‘akademikun’ e tij, Agim Bahtiri, për të investuar në Kosovë. Kjo, pasi ish-kryetari i Mitrovicës muajin e kaluar njoftoi se djemtë e tij, kanë vurë gurthemelin e një fabrike e cila do të ndërtohet në Holandë, shkruan Periskopi.

Thirrjet e Kurtit drejt mërgimtarëve, për të investuar në Kosovë, duket se kanë hasur në vesh të shurdhër.

Kryeministri Kurti edhe sa ka qenë në opozitë ka thënë se me ardhjen e tij në pushtet, qeverisja e tij do jetë arsyeja jo vetëm për të mos e lënë vendin, por që edhe mërgimtarët të kthehen në Kosovë. Megjithatë, edhe pas katër vitesh pushtet, kjo gjë nuk ndodhi. Më së miri e tregojnë të dhënat e regjistrimit të popullsisë, ku Kosova shënon rënie prej 153 mijë banorësh.

“Juve që jeni ndërmarrës, ju themi investoni që të fitoni, jo sikur dikur, kontribuoni duke sakrifikuar, sepse Kosova po zhvillohet e po përparon. Bashkëatdhetarët janë pjesë e këtij suksesi e bashkë këtë edhe mund ta rrisim më tej, edhe ta përshpejtojmë gjithsesi”, është një nga thirrjet e Kurti në një mbledhje të partisë së tij këtë muaj.

Vlen të theksohet se gjatë fushatës elektorale të VV-së, një mërgimtar i cili jeton dhe vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me emrin Gazmend Gjonbalaj, kishte premtuar 50 milionë euro investime në Kosovë nëse fiton Albin Kurti në zgjedhjet e fundit, zgjedhjet nga Kurti u fituan, por Gjonbalaj nuk po shihet askund me milionat e tij.

Për këtë premtim të Gjonbalajt ishte pyetur kohë më parë edhe kryeministri Albin Kurti, i cili tha se për këtë çështje duhet të pyetet më mirë ai sepse nuk e di se çfarë ka ndodhur me të.

“Është mirë ta pyesni atë, e falënderoj për gatishmërinë e jashtëzakonshme. Gazmend Gjonbalaj ka qenë nxënës i mirë”, kishte thënë Kurti

Ku është Gjonbalaj që premtoi 50 milionë euro investime në Kosovë me fitoren e Albinit? Përgjigjet Kurti

Përveq thirrjeve të mërgimtarëve nga Kosova, Kurti premtoi investitorë edhe nga Greqia.

Në vitin 2022 kryeministri Albin Kurti pati qëndruar në Symi të Greqisë, ku veç tjerash, pati deklaruar se kishte takuar 30 biznesmenë- investitorë potencial në Kosovë. Prej atëherë, nuk ka asnjë lajm se ku është të paktën një prej këtyre 30 investitorëve të huaj.

Kurti premtoi investitorë nga Greqia, në Kosovë erdhën dy kompani greke që përfituan tenderë milionësh

/Periskopi/E.Rr/

Shpërndaje në: