Një javë – Ende s’ka ndëshkim për përgjegjësin e lajmit që u publikua në RTK kundër Periskopi-t

Një javë – Ende s’ka ndëshkim për përgjegjësin e lajmit që u publikua në RTK kundër Periskopi-t

Janë bërë një javë që nga publikimi i artikullit të medias”Slobodna Bosna”në Radio Televizionin e Kosovës, ku supozohet kinse për kontrollimin e financimin e Periskopit dhe Nacionales nga Serbia.

Një tekst i tillë pa fakte, u shpërnda edhe nga deputetë e anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, gjë që u konsiderua si “frikësim i gazetarëve dhe presion nga pushteti”.

Ani pse Bordi i Transmetuesit Publik u zotua se do të ndërmarrin masa, mirëpo ende nuk ka asgjë për përgjegjësin, Rilind Gërvalla, i cili ky i fundit po vazhdon ta mbroj fuqishëm raportimin.

Reagime ka pasur nga partitë opozitare, të cilat pretendojnë se RTK-ja, që transmetoi tekstin e portalit nga Sarajeva, është “shndërruar në vegël të interesit ordiner të pushtetit”.

Madje, PDK-ja ka bërë të ditur se do të iniciojë mocion për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të RTK-së.

Për këtë ka reaguar edhe deputeti i LDK-së, njëherit anëtari në Komisionin për Media, Agim Veliu.

Ai për Periskopin ka thënë se sulmi ndaj mediave është duke e karakterizuar pushtetin e Kurtit.

Veliu për Periskopin ka thënë se përdorimi i Transmetuesit Publik nga VV-ja kundër mediave që nuk pajtohen me pushtetin e tyre, është qyqarllak.

“Sulmi ndaj mediave të lira e veqanerisht ndaj atyre që nuk pajtohen me pushtetin është shenjë e pasigurisë së pushtetit e kur përdoret mediumi publik(RTK) për këtë qëllim është qyqarëllak!”, ka thënë ai.

Për publikimin e këtij artikulli skandaloz, duke cituar një media boshnjake, RTK-ja është kritikuar me të madhe nga organizata të huaja e vendore, nga gazetarë e analistë të cilët thonë se RTK-ja është e kapur nga pushtetit.

Organizatat joqeveritare dhe aktivistët kanë kërkuar dorëheqjen e Bordit të RTK-së pas raportimit skandaloz për mungesë të pavarësisë dhe profesionalizmit në ushtrimin e mandatit të tyre.

“Radio Televizioni i Kosovës (RTK) ka ri publikuar një informacion dezinformues me qëllim që të sulmojë mediat online Nacionale dhe Persikopi nën pretendimin që kontrollohen nga Serbia. Kjo narrativë e ushqyer ndër vite nga partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje ka për qëllim denigrimin e gazetarëve dhe cytjen e qytetarëve kundër tyre, gjë që përbën rrezik për sigurinë e tyre”, kanë thënë në reagimin e tyre.

Përvec tyre, edhe organizata ndërkombëtare “Safe Journalist” ka reaguar ashpër pas sulmeve nga pushteti ndaj Nacionale dhe Periskopit.

“Rrjeti SafeJournalists dënon ashpër fushatën e shpifjeve të nisur nga Lëvizja Vetëvendosje, si dhe shpërndarjen e “lajmeve” të tilla që sulmojnë mediat tjera në Transmetuesin Publik të Kosovës RTK. I bëjmë thirrje kryeministrit Kurti që të dënojë këtë fushatë shpifëse dhe të distancohet nga këto akuza të pabaza. Për më tepër, ne inkurajojmë mediat e prekura që të ndjekin veprime ligjore kundër atyre që janë përgjegjës për ngritjen e akuzave të tilla të rënda, duke përfshirë burimet kryesore që qëndrojnë pas tyre”, kanë reaguar javën e kaluar./Periskopi

Lajmi shpifës i RTK-së ndaj Periskopit, emërohet një komision ad-hoc

Shpërndaje në: