Avokati i familjes së Marigona Osmanit: Disa prova s’u shfaqën për publikun pasi ishin aq të rënda
Këtë të hënë në Gjykatën Themelore të Ferizajt u shpall aktgjykimi ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiu për vrasjen e Marigona Osmanit. I pari u dënua me burgim të përjetshëm, ndërsa i dyti me 15 vjet.
Gazmend Rexhepi, avokat i familjes Osmani foli në T7 për provat që tha se s’u shfaqën për publikun pasi ishin të rënda.
“Aty shihet e ndjera në gjendje shumë të rëndë. Shihet [Dardan Krivaqa] duke e mbajtë të ndjerën në gjendje shumë të rëndë, mandej shihet tu hy me një shkop në dhomën ku ka qëndru e ndjera diku për 32 orë. Ka qenë kjo gjendje…” tha avokati.
Rexhepi tha se këto prova kanë qenë kryesore për ta vërtetuar përmasën e krimit.
Ai shprehu edhe njëherë vërejtjen se dënimi maksimal, sipas tij, duhej të vlente edhe për Arbër Sejdiun.
“Ne jemi të kënaqur pjesërisht për shkak të dënimit ndaj të dyshuarit të dytë sepse ai ka hy në dhomën ku ka qenë e ndjera 22 herë, i dyshuari i parë del me marrë bukë ky hyn në dhomë rri 1 minutë”, tha avokati.
Ai foli edhe për një deklaratë që Dardan Krivaqa e kishte bërë në një prej seancave gjyqësore, se me viktimën kishin konsumuar lëndë narkotike.
“Nuk mundet trupi i njeriut më i përballu lëndë të cilët ai thoshte se i kanë konsumu, kokainë, heroinë, xanax. Nuk kanë qenë hiç as kur është bastisë shtëpia prej policisë atë natë. Nuk është gjetur asgjë. Pra, kjo s’ka logjikë”, tha ai.
Marigona Osmani ishte 18-vjeçare kur u vra më 22 gusht të vitit 2021, në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaqa, në Ferizaj.
Gjykata e Apelit më 23 shkurt miratoi ankesat e avokatëve mbrojtës për aktgjykimin dhe e ktheu rastin në rigjykim, me arsyetimin se ka pasur shkelje procedurale gjatë procesit.