Kurti thoshte se mosinvestimi në “Trepçë” është krim i madh – Sot, Qeveria i lë pa rroga minatorët e Trepçës
Sa ishte në opozitë, Kryeministri Kurti, kritikonte fort partitë e tjera që, sipas tij, e kishin lënë ndërmarrjen publike “Trepça” në “kushte mesjetare”, shkruan Periskopi.
Gjatë një vizite në fund të muajit janar të vitit 2021, Kurti thoshte se të mos investosh në “Trepçë” është krim.
“Nuk mund të kemi minatorë me produktivitet të duhur në këto kushte kështu, mesjetare. Mosinvestimi në “Trepçë” është një ndër krimet më të mëdha në Kosovën e pasluftës sepse nuk është krim vetëm kur bën diçka keq por edhe kur s’bën diçka mirë e, e ke përgjegjësinë për diçka të tillë…” – deklaronte Albin Kurti.
Pas disa muajsh, erdhi në pushtet. Premtimet e tij me gojë ishin të mëdha, por jo edhe të realizueshme.
“Në dy vitet në vijim do t’i ndajmë së paku 70 milionë euro për investime në “Trepçë” për vitet 2022 dhe 2023. Me projektin tonë, për Fondin Sovran e kemi vendosur në qendër të zhvillimit të ardhshëm ekonomik “Trepçën” – thoshte Kurti më 20 tetor 2021.
Në vitin e fundit të mandatit të rregullt të Qeverisë Kurti, minatorët e “Trepçës” ende nuk i kanë marrë pagat e muajit qershor.
Kështu thuhet në një reagim të bërë sot gjatë ditës, nga Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës.
“Tani që ndodhemi në fundin e muajit Korrik, minatorët ende nuk i kanë marrë as pagën e muajit qershor. Interesimi për fatin e minierës dhe minatorëve nga qeveria, ministria dhe bordi i ndërmarrjes janë në nivelin zero. Vullneti i tyre për prosperitetin e kësaj ndërmarrje dhe premtimi për ditë të mira në ndërmarrjen Trepça SH.A., janë vetëm fjalë boshe dhe asgjë tjetër”, thuhet në reagim.
Më tej, Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës thotë se “një qasje e tillë refuzuese ndaj ndërmarrjes Trepca Sh.A dhe minatorëve, duke i lënë të njëjtit buzë humnerës dhe duke ia pamundësuar ekzekutimin e pagave gati për dy muaj nën këto kushte të rënda financiare të minatorëve përben shqetësim serioz dhe sfidë që kërkon zgjidhje të menjëhershme”.
“Ta dini se një qasje e tillë ndaj minierës Trepça Sh.A dhe minatorëve të saj nga qeveria dhe ministria e saj paraqet rrezik serioz që të gjithë minatorët të gjejnë zgjidhje tjera apo edhe të migrojnë jashtë vendit. Fatkeqësisht ndoshta ky edhe është qëllimi dhe dëshira e disave”, vijon reagimi i tyre.
Më tej, sindikata ka bërë thirrje për reflektim.
“Jeni duke i përbuzur minierën dhe minatorët, një ditë do i kërkoni! Reflektoni dhe ekzekutoni pagat”.