Kreu i Shoqatës “Miqtë e Amerikës”: Raportet politike me Amerikën janë të “krisura”
Kosova dhe Amerika nuk i kanë aktualisht raportet më të mira politike. Raportet e tilla tashmë janë krisur. Fatmirësisht, raportet e tilla nuk janë krisur asnjëherë midis popullit kosovar dhe amerikan, por ndërmjet institucioneve.
Kështu ka deklaruar në një intervistë për portalin “FrontOnline” kreu i Shoqatës “Miqtë e Amerikës’, Agim Rexhepi.
Sipas tij, ishte kohë e artë kur Kosova dhe shqiptarët kishin raportet më të mira në Ballkan me SHBA-të, ndërsa tashmë edhe Serbia duke lobuar fuqishëm i ka përmirësuar raportet politiko-diplomatike me Amerikën.
Ai thotë se lidershipi politik në Kosovë nuk duhet të rreshtohet në përkrahje të një kandidati për president, siç ishte vepruar në këtë kaluarën.
Rexhepi fajin për krisjen e marrëdhënieve Kosovë-SHBA e ka hedhur tek veprimet e institucioneve që sipas tij, kanë qenë të gabuara.
Rexhepi thotë se mos koordinimi me faktorin ndërkombëtar është pasuar me ftohje të raporteve.
“Raportet politike me Amerikën fatkeqësisht janë të krisura, por këto krisje edhe pse nuk janë në rregull, fatmirësisht janë në mes të Institucioneve e jo në mes popujve. Kjo ka ardhë si pasojë e deklaratave e veprimeve shpesh herë të gabuara nga Institucionet e Kosovës. Për shkak të veprimeve politike në terren, pa u koordinu me faktorin ndërkombëtar, e posaçërisht me SHBA-të. Institucionet kanë pas të drejtë në veprime të tilla, por unë mendoj që nuk është bërë në mënyrën e momentin e duhur politik e kohorë”, deklaroi Rexhepi.