Domi: Ka pasur një zhgënjim të përgjithshëm në lidhje me politikën e jashtme të Biden në raport me Kosovën
Profesoresha e Çështjeve Ndërkombëtare dhe Publike në Universitetin Columbia në Nju Jork, Tanya Domi, ka thënë se ka pasur një zhgënjim të përgjithshëm në lidhje me politikën e jashtme të Biden në raport me Kosovën.
Në një intervisë për Radio Evropa e Lirë, Domi ka përmendur gjithashtu qëndrimin e kryeministrit Kurti ndaj Shtëpisë së Bardhë, duke e quajtur “agresiv” – dhe si rrjedhojë e kësaj çoi më pas në disa “fërkime”.
E pyetur se a ka ndonjë gjë që ka mundur të bëhet më mirë gjatë presidencës Biden, kur bëhet fjalë për Kosovën, ajo tha:
“Ka pasur një zhgënjim të përgjithshëm në lidhje me politikën e jashtme të Bidenit dhe unë pajtohem. Jam cituar në shumë artikuj të kem thënë se ndërveprimet e zyrtarëve amerikanë me Kosovën – qoftë publikisht, qoftë prapa skenave – kanë qenë zhgënjyese. Ka pasur edhe një qëndrim shumë agresiv ndaj [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurti, i cili i ka kritikuar hapur zyrtarët amerikanë. Dhe, kjo ka çuar në disa fërkime. O’Brien ka disa muaj që është në detyrë dhe unë nuk kam parë ndonjë ndryshim të madh. Kjo është për keqardhje”, u shpreh ajo.
Tutje, Domi ka folur edhe mbi deklaratën e Kurtit, i cili para disa ditësh tha se tërheqja e presidentit amerikan, Joe Biden, nga gara për rizgjedhje shënon fundin e një epoke, veçanërisht për Kosovën.
Joe Biden është personi i fundit në Qeverinë federale, e sidomos në Shtëpinë e Bardhë, i cili ka qenë i angazhuar aktivisht në çështje që kanë të bëjnë me Kosovën. Qysh në vitin 1999, ai ka mbështetur ndërhyrjen e NATO-s [për ndaljen e dhunës në Kosovë]. Ka qenë mbështetës i fuqishëm i saj edhe për faktin se ka qenë mjaft aktiv në Bosnje dhe, rrjedhimisht, mjaft mirë i informuar për çështjet në terren, në atë kohë. Të gjithë të tjerët e kanë lënë Qeverinë – disa janë pensionuar, disa kanë vdekur – me përjashtim të ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien”, tha ajo.
Domi është pyetur edhe për Kamala Harris, e cila së fundmi ka firmosur zyrtarisht deklaratën, për t’u shpallur kandidate për presidente në zgjedhjet që do të mbahen në nëntor.
Harris fitoi mbështetje të mjaftueshme në mesin e delegatëve të Partisë Demokratike, për t’u bërë kandidate e saj për presidente, por, në karrierën e saj, çështja e Kosovës nuk përmendet.
E pyetur se sa e rëndësishme është kjo për Kosovën, Domi shtoi:
“Ju nuk do të keni asnjë zyrtar të tillë amerikan. Nëse Kamala Harris zgjidhet, ajo do të duhej të mësonte për Kosovën. Kështu vepron secili kur nuk ka përvojë në politikën e jashtme për një vend të caktuar. Kjo është edhe një prej arsyeve përse ekzistojnë Departamenti i Shtetit dhe Këshill i Sigurisë Kombëtare brenda Shtëpisë së Bardhë”, përfundoi ajo.