Zjarr në Kukës, flakët shpërthejnë minat luftarake nga lufta e Kosovës
Edhe një tjetër vatër zjarri është aktivizuar në qarkun e Kukësit. Vatra e zjarrit u shfaq gjatë pasdites në vendin e quajtur Fierza e Qemës në fshatin Kishaj të bashkisë Has.
Zjarri ka përfshirë masivin pyjor të këtj fshati në një terren tejet të vështirë dhe në distancë të largët nga rrugët automobilistike. Mësohet se janë nisur ekipet e shërbimit zjarrfikës të bashkisë Has bashkë me punonjësit e shërbimit pyjot, ndërsa era po favorizon përhapjen e tij. Ndërkohë, në dy vatrat e tjera aktive të Zogajve në Tropojë dhe Letaj të Hasit po punohet për izolimin e tyre.
Sipas burimeve, në vendngjarje janë rreth 200 forca prej të cilave 100 i përkasin ushtarakëve Komando, ndërsa pjesa tjetër zjarrfikës dhe punonjës të tjerë të angazhuar. Në anën e Tropojës, zjarri është izoluar dhe po mbahet nën kontroll përgjatë një distance rreth 12 kilometra nga Zogaj në Zherkë, nga rreh 30 km perimetër që mendohet të ketë kjo vatër zjarri.
Në anën e Hasit në fshatin Peraj në kufirin me Gjakovën, zjarri ka shpërthyer disa mina luftarake, prezenca e të cilave mendohet të jetë që prej luftës në Kosovë në vitin 1999. Nxitur nga kjo situatë, punonjësit e shërbimeve të zjarrfikëseve dhe të tjerë të angazhuar për shuarjen e kësaj vatre kanë ndërprerë punën duke i lënë vendin forcave ushtarake, të cilat do të monitorojnë në mënyrë të specializuar.
Vatrat janë aktive e që po ndihmohen jo vetëm nga temperaturat e larta dhe thatësira, por edhe nga erërat e forta të kësaj zone. Për momentin vatrat e zjarrit nuk rrezikojnë banesat e fshatrave përreth./abcnews.al