Shkup: Kërcënohen disa deputetë të BDI-së
Disa deputetë të Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut kanë pranuar mesazhe kërcënuese anonime përmes postës elektronike. Ndërkohë që dihet autorit, sot ka reaguar Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, i cili e dënon ashpër këtë akt, teksa thekon në një komunikatë se e dënon çdo formë kërcënimi, përpjekje për dhunë apo nxitje të dhunës.
“Deputetët zgjidhen drejtpërdrejt nga qytetarët dhe liria e fjalës është e pacenueshme. Anonimiteti në dërgimin e mesazheve të tilla ose në rrjetet sociale mund t’i japë kërcënuesit një ndjenjë mosndëshkimi, por duhet të pranojmë që institucionet tona janë aktive dhe të afta”, thekson Gashi.
Autoritetet policore kanë konfirmuar njoftimin për kërcënimin ndaj ligjvënësve të BDI-së, por pa dhënë hollësi të tjera. Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se Njësia për Kriminalitet Ekonomik dhe Kompjuterik është njoftuar me rastin dhe se po merren masa për zbardhjen e tij. Mësohet se kërcënimet janë bërë me datë 23 korrik.
Vetë BDI-ja i ka quajtur kërcënimet si sulm të drejtpërdrejtë ndaj vlerave demokratike dhe institucioneve në vend. “Këto incidente dëshmojnë nivelin e larë të mosdurimit dhe urrejtjes që po përhapet në shoqërinë tonë”, thuhet në një reagim të partisë shqiptare të opozitës në Maqedoninë e Veriut.
Partia shqiptare vlerëson se po bëhet një fushatë e paramenduar për të shantazhuar dhe kërcënuar BDI-në dhe se kjo fushatë, sipas saj, ka për qëllim fshehjen e gabimeve të qeverië së re.
“Me akuza të imagjinuara dhe veprime të dhunshme ato po përpiqen ta shpërqendrojnë vëmendjen e opinionit publik nga problemet reale dhe rezultatet katastrofike të politikave qeveritare”, thuhet më tej në reagimin e Bashkimit Demokratik për Integrim./voa/