A po ‘vjen era’ zgjedhje? – Presidentja Osmani dhe LVV, presion KQZ-së që sa më shpejtë ta përgatitin rregulloren për zgjedhje të jashtëzakonshme
Qytetarët e Kosovës mund t’i drejtohen shumë shpejt kutive të votimit për të zgjedhur deputetët e Kuvendit të Kosovës.
Gazeta Periskopi ka mësuar nga burime brenda Komisionit Qendror të Zgjedhjeve se ky instiutcion ka disa ditë që ndodhet nën presionin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, për të përgatitur rregullën për zgjedhje të jashtëzakonshme apo parakohshme.
Merret vesh se presidentja e vendit, Vjosa Osmani i ka kërkuar kryetarit të KQZ-së, Kreshnik Radoniqi që baza ligjore për procesin e ardhshëm zgjedhor të jetë e gatshme sa më shpejt që është e mundur.
Me bazë ligjore këtu nënkuptohet rregullat zgjedhore të KQZ-së, ku përfshihet edhe rregulla zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme.
Rregullore të ngjashme KQZ-ja ka në fuqi, por ajo është sipas ligjit për zgjedhjet që nuk është më në fuqi, pasi që nga viti 2023 pas reformës zgjedhore KQZ-ja ka ligj të ri për zgjedhjet e përgjithshme.
Burimet nga KQZ i kanë thënë Periskopit se ky institcion i ka gati rregullat tjera zgjedhore dhe shumica prej tyre veçse janë miratuar. E fundit nga këto rregulla është ajo për votimin jashtë Kosovës e cila është miratuar në mbledhjen e mbajtur me 23 korrik.
Ndryshe dje Presidentja e vendit Vjosa Osmani u ka dërguar ftesë të gjithë liderëve të partive politike për konsultime rreth datës së zgjedhjeve të reja. Deri më tani pjesëmarrjen në takim e ka konfirmuar LDK-ja./PERISKOPI