U.d e kryeredaktores së RTK-së nuk kërkon falje për lajmin e rremë kundër Periskopit, iu “qepon” gazetarëve të RTK-së që u distancuan

U.d e kryeredaktores së RTK-së nuk kërkon falje për lajmin e rremë kundër Periskopit, iu “qepon” gazetarëve të RTK-së që u distancuan

Janë bërë gati një javë prej kur RTK-ja transmetoi një “lajm” shpifës të medias boshnjake Slobodna Bosna(e njohur për lajme të rreme dhe manipulim faktesh). 

Pas shumë reagimeve dhe distancimeve nga ky lajm, tek sot u.d kryeredaktores e RTK-së vendosi të reagojë, por jo për lajmin.
Leonora Berbatovci përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook nuk u pendua as nuk kërkoi falje që sulmoi median Periskopi dhe Nacionale, por pati punë me mbi 20 gazetarë të RTK-së që u distancuan nga lajmi që transmetoi televizioni publik.

“Shumicën prej të distancuarve nga kolegët e mi në RTK i njoh jo vetëm si kolegë, por edhe si miq. Për bashkëpunim as nuk e diskutoj, sepse kemi punuar ngushtë me vite të tëra në pozicione të ndryshme. I njohim të mirat por edhe të metat e njëri tjetrit. Një pjesë të madhe të tyre i kam pasur dikur eprorë. Edhe kur s’jam pajtuar me ta ua kam thënë, pa asnjë dilemë. Andaj njihemi e shihemi me vite të tëra sy më sy”, shkroi Berbatovci ndër të tjera.

 

Reagimi i plotë:

Pse eshte i nevojshëm një ballafaqim sy me sy për RTK-në?

Shumicën prej të distancuarve nga kolegët e mi në RTK i njoh jo vetëm si kolegë, por edhe si miq. Për bashkëpunim as nuk e diskutoj, sepse kemi punuar ngushtë me vite të tëra në pozicione të ndryshme. I njohim të mirat por edhe të metat e njëri tjetrit. Një pjesë të madhe të tyre i kam pasur dikur eprorë. Edhe kur s’jam pajtuar me ta ua kam thënë, pa asnjë dilemë. Andaj njihemi e shihemi me vite të tëra sy më sy.

Në sy u pamë edhe mëngjesin e së hënës. Por prej mesditës nuk u pamë më. Madje as s’u dëgjuam e lëre më që s’u shkruam fare. Të shkruara i pashë vetëm distancimet. Disa i lexova e disa të tjerë i pashë vetëm si “followers” të nismëtarëve.

Andaj duke parë mungesën e një komunikimi të brendshëm, vendosa që të pranoj ftesën për ballafaqim publik. Por asnjë prej tyre nuk ishin të gstshëm për ballafaqim. Kjo sot m’u konfirmua nga drejtuesi i emisionit Debat Plus, kolegu Ermal Panduri që asnjë prej të distancuarve nuk pranuan të dalim ballë për ballë e të diskutojmë për RTK-në. Andaj, e kuptova se paskan vendosur të monologojnë nëpër rrjete sociale, ashtu siç bënë të hënën.

Gjithsesi, shpresoj se do të shihemi sy më sy, me shumë të pathëna që tashmë janë të paevitueshme nga dalja në publik. Publiku e meriton të na shoh përballë njëri-tjetrit.

Unë edhe një herë e shpreh gatishmërinë për debat me kolegët e distancuar, kurdo dhe kudo. Qoftë diskutim të brendshëm, ku do të ishte para se gjithash profesionale të diskutohej qysh të hënën, qoftë në studio televizive.

Leonora Bërbatovci
U.d kryeredaktore në RTK

Shpërndaje në: