‘E keqja e RTK-së’ Rilind Gërvalla i Lëvizjes Vetëvendosje shfrytëzoi pozitën për të sulmuar Periskopin – I dalin prapaskenat
Radio Televizioni i Kosovës tri ditë më parë ka publikuar një artikull të medias boshnjake, në të cilin atakohen Periskopi dhe Nacionale gjoja se ‘financohen nga Serbia’.
Ky shkrim u publikua pas presionit të ish-anëtarit dhe militantit të LVV-së, partisë së Kryeministrit Albin Kurti, tani Drejtori i RTK1, Rilind Gërvallës.
Se si kanë rrjedhur gjërat brenda RTK-së për publikimin e këtiij shkrimi e ka treguar vet redaktori Jeton Musliu.
Musliu tha se presioni nga Rilind Gërvalla, drejtor i TV, dhe Leonora Bërbatovci, ka qenë i jashtëzakonshëm. Andaj, ai distancohet nga ky lajm dhe krejt kjo situatë.
Si dëshmi, Musliu ka publikuar edhe emailet.
“Kjo nuk është hera e vetme kur Gërvalla ka ndërhyrë. presioni i vazhdueshëm dhe gatishmëria e drejtorit aktual të TV-së, z. Rilind Gërvalla si dhe U.d Kryeredaktores Leonora Bërbatovci, për të ndërhyrë në edicionin e Lajmeve Qendrore të RTK-së. Derisa e dyta edhe ka njëfarë të drejte për shkak të pozitës që mban, i pari nuk e ka asnjë të drejtë. Por që do, i pari presion tek e dyta dhe kjo tek i treti, në këtë rast redaktori i Lajmeve Qendrore. Më shpesh, hiç pa përfillur të dytën” ka shkruar Musliu.
Por çfarë ndodhi në ditën kur redaktorit Musliu iu kërkua që ta bëjë gati lajmin e “Slobodna Bosna”?
Fillimisht atij i është thënë se bëhet fjalë për një artikull të Evropës së Lirë (Slobodna Evropa) ose Evropa e Lirë në gjuhët sllave.
Sipas Musliut, Gërvalla i ka kërkuar që lajmi për mediat kosovare nga artikulli në “Slobodna Bosna” të kombinohet me një lajm tjetër për një takim Vuciq -Radojiciq, të cilin RTK e ka raportuar me burime.
“Rreth ores 13:00, kam shkuar ta konsultoj në zyren e saj, U.d Kryeredaktoren Leonora Berbatovci, mbi mundësitë teknike për një lidhje Live në Edicionin Qendror të Lajmeve nga koncerti i Rame Lahajt. Meqë bëhej fjalë për një koncert të sponsorizuar mediatikisht nga RTK, znj. Bërbatovci shkoi në zyrën e Drejtorit të TV, z. Rilind Gërvalla, për konsultime. Derisa e prisja në zyre, pas pak minutash, znj. Bërbatovci më ftoi edhe mua në zyren e z. Gërvalla. Në praninë edhe të znj. Berbatovci, drejtori Gervalla më tha se duhet realizuar një kronike mbi raportimin e RTKLive për takimin e Radoiciqit me Vuciqin. Gjithashtu, tha se edhe Radio ‘Slobodna Evropa’ ka publikuar një artikull e të cilin bashkë me këtë artikullin autorial nga RTKlive, të bëhet një kombinim”, ka shkruar Musliu.
Musliu më tej ka thënë se vetëm pasi ka shkuar në zyre Gërvalla ia ka dërguar dy linqe, njëri me lajmin e RTK tjetri me atë mediumit boshnjak.
“Ai tha se “Slobodna Evropa”, vazhdimisht edhe duke e përditësuar lajmin. Z. Gërvalla dhe znj. Berbatovci u thash që meqë bëhet fjalë për artikull të publikuar së pari nga RTKlive si medium yni dhe Radio ‘Slobodna Evropa’ (Radio Evropa e Lire), do ta shikoj se cfarë mund të beëj. U kthva ne redaksi dhe nisa të kërkoj artikullin e radios “Slobodna Ervopa”. Në orën 13:19 minuta, drejtori Gervalla më dërgoi dy linqe. I pari i artikullit nga RTKLive dhe i dyti nga ‘Slobodna Bosna’. Aty e kuptova se kot kisha kërkuar artikullin në ‘Slobodna Evropa’ meqë bëhej fjalë për medium nga Sarajeva dhe jo Radio “Evropa e Lirë” në gjuhën serbe. Në orën 13:34 minuta, linkun e artikullit autorial të publikuar nga RTKlive ma dërgoi edhe U. d kryeredaktorja Berbatovci” ka rrëfyer më tej Musliu.
Musliu ka shpjeguar se kur i ka parë akuzat ne drejtim të dy mediumeve ka qenë e pabesueshmë për të.
“Bashke me znj. Muhaxhiri kemi kerkuar ne internet nese behet fjale per ndonje medium serb apo boshnjak me emrin Periskopi. Meqe nuk gjetem dhe ajo me siguroi se perkthimi eshte i sakte, te njejtin tekst te perkthyer, bashke me versionin ne origjinal, ne oren 15:54 minuta, ia dergova U. D kryeredaktores Berbatovci. Me pas edhe vet shkova ne zyren e saj, dhe i thash se kjo eshte absurde. Nuk kishte fakte as deshmi per keto pretendime te nje portali boshnjak dhe se prapa mund te fshihet diçka tjeter. Për më tepër, artikulli i RTKlive dhe ai boshnjak, nuk kishin lidhje njëri me tjetrin” ka shkruar ai.
Ai më tej tha se gjatë ditës i është dërguar nga u.d.Kryeredaktorja Bërvbatovci artikulli i “Slobodna Bosna” i publikuar në uebafaqen e RTK’së me kërkesën që ta bëjë lajm për ediconin e lajmeve.
“Pasi Znj. Berbatovci e lexoi perkthimin per te cilin e njoftova se eshte bere nga kolegia Muhaxheri, per pjesen qe ka te bëjë me mediat ne Kosove, edhe ajo aty e kuptoi se nuk behet fjale per ‘Slobodna Evropa’, por ‘Slobodna Bosna’. Me dakordimin e saj, u pajtuam qe te realizohet per lajme vetem kronika nga artikulli autorial i publikuar ne RTKlive mbi takimin qe Vuçiq ka pasur fshehurazi me Radoiciq. Ne oren 18:29 minuta, U. d e kryeredaktores, znj. Berbatovci me dergoi linkun e RTKlive me artikullin e perkthyer ne teresi (nuk e di nga kush), nga ‘Slobodna Bosna’, duke me thënë se këtë mund ta bëj si lajm ngase nuk janë përmendur emrat (emrat e mediumeve v.j) për pjesen e Kosovës. Duke respektuar hierarkinë redaksionale, lajmi në formën më të shkurtër të mundshme, është transmetuar, duke mos përmendur emrin e asnjë mediumi në Kosovë” shkruan Musliu.
Në reagimin e tij, Musliu ka shkruar se “lajmi i publikuar të hënën në TV e ku redaktor isha unë, nuk e di pse, por në njëfarë mënyre disi bizare, më vjen mirë që doli”.
“Pavarësisht insistimit tim që kjo të mos ndodhë, por kur presioni bëhet i vazhdueshëm mbi ty si redaktor, vjen çasti që përpiqesh që lajmi i deleguar të jetë më dëm sa më të vogël. Nuk ke nga ia mban. Të tjerë ndoshta edhe kanë”, ka vazhduar ai.
Por nuk mjafton me kaq.
Jeton Musliu, redaktor i lajmeve qendrore në RTK ka treguar edhe për presionet tjera masive në televizionin publik.
Ai ka përmendur disa raste, kur ndërhyrja e drejtorit të televizionit, Rilind Gërvalla, ka qenë direkte.
Njëri rast ndërlidhet për tentim-atentatin ndaj Kurtit, rasti tjetër për një video të kryetarit të PDK-së me kritika ndaj qeverisë, dhe tjetri videoja e Milan Radoiçiq teksa godiste me shuplakë një politikan.
“Duke qenë se ky rast, është vazhdimësi e të tjerave paraprake të ndërhyrjeve nga drejtori i TV-së, z. Gërvalla, me të cilin kam pasur përplasje dhe mospajtime deri në nivelin e moskomunikimit, për shkak të bindjeve të mija profesionale me të, për disa raste kur unë kam qenë redaktor i edicioneve informative,
-Rasti për lajmin e tentim atentatit ndaj kryeministrit Kurti në Shkup, ku pas presonit tim të vazhdueshëm për konfirmim dhe kërcënimeve deri në reagim publik, është bërë i mundur disi konfirmimi i lajmit nga njëri nga anëtarëve të Komisonit Parlemantar për AKI-në,
-Lajmi për videon e Radoiciqit ku shihet duke i dhënë një shuplakë një personi, e ku s’ka as përgjigjet në pyetjet bazë, për të cilin jam cilësuar nga z. Gërvalla si jo patriot,
-Për videon për lajmin për kritikën që kryetari i PDK-së, ka pasur në trevjetorin e Qeverisë të publikuar në Facebook, për të cilin kam marrë edhe vërejtje me shkrim nga U.d Kryeredaktorja Berbatovci, përse e kam publikuar, apo përse nuk e kam hequr z. Gërvalla nga video e publikuar nga PDK, apo përse nuk i kam kontaktuar të gjitha ata persona që shihen në video, ndonëse publikime të tilla bëhen vazhdimisht,
-Duke qenë se për disa nga këto raste ka qenë i informuar edhe ish drejtori i Përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, me të cilin kam pasur gjithashtu përplasje e mospajtime profesionale,
-Duke qenë i vetëdijshëm se pavarësisht të gjithave, duke mos e bartur këtë presion tek stafi, por duke u munduar të krijoj atmosferë kolegjiale, jam munduar të jap më të mirën për edicione lajmesh sa më profesionale, ndonëse atmosfera pas përplasjeve të tilla ishte shumë e rëndë për mua”, ka thënë ndër të tjera Musliu.
Mirëpo këtë, Rilind Gërvalla e ka mohuar, duke thënë se linkun e ka dërguar, por nuk ka ushtruar presion që të botohet.
Gërvalla që deri sot e ka mbajtur në pozitë redaktorin Musliu, tashmë po e etiketon si të dënuar për shpifje.
“Në RTK ka hierarki. Drejtori ka përgjegjësitë e veta programore për çdo sekondë që transmetohet. Linkun ia kam dhënë, pos asnjëherë s’i kam thënë bëje, as s’ka asnjë lloj presioni asnjëherë nga unë. Presioni ndaj redaktorëve është stisje dhe gënjeshtër. Ne nuk kemi debatuar. Lajmi i ‘Slobodna Bosna’ ka qenë publik. Mua më vjen keq që një i dënuar për shpifje vazhdoka të njëjtën gjë”, ka thënë Gërvalla për Kallxo.com.
Menjëherë pas sqarimit të redaktorit Musliu, drejtori i Nacionales, Berat Buzhala ka reaguar përmes një postimi në Facebook, të enjten, i cili thotë se, Rilind Gërvalla, “për abuzim me detyrën zyrtare dhe rrezikim të jetës se kushedi sa gazetarëve në Periskop dhe Nacionale, tuj fabriku lajme të rreme, duhet me u thirrë në prokurori”.
“E qysh, edhe pas letrës së Jetonit, dikush në Bord të RTK’së, mundet me thanë “nuk po e shkarkojmë Rilindin” a?
E, Drejtori i IKD-së, Ehat Miftaraj tha se Albin Kurti dhe LVV-ja në mënyrë klasike e kanë kap RTK-në.
“Albin Kurti dhe LVV erdhen ne pushtet me i çkap institucionet publike. Albin Kurti dhe LVV në menyre klasike dhe primitive e kane kap Radio Televizionin e Kosoves. E dhimbshme me pa se si nje parti politike e keqperdor pushtetin ne menyre kaq arbirtrare e menyre kaq arbirtrare” shkruan Miftaraj.
Publikimi i këtij artikulli ka nxitur reagime të gazetarëve, mediave, shoqërisë civile në Kosovë dhe organizatave ndërkombëtare.
Partitë opozitare në Kosovë kanë thënë se ky medium është “shndërruar në vegël të interesit ordiner të pushtetit”, ndërsa po kërkojnë dorëheqjen e Rilind Gërvallës./Periskopi