“Rruga drejt Zajednicës”, Çitaku fajëson Kurtin e Gërvallën për liberalizmin e vizave për serbët

“Rruga drejt Zajednicës”, Çitaku fajëson Kurtin e Gërvallën për liberalizmin e vizave për serbët

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, veçanërisht kryeministrin Albin Kurti dhe kryediplomaten Donika Gërvalla, për vendimin e Këshillit të Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për mbajtësit e pasaportave serbe të lëshuara nga strukturat serbe (Drejtoria Koordinuese Serbe) për qytetarët serbë të Kosovës.

Çitaku e cilësoi këtë vendim si një prapakthim të madh për sovranitetin dhe subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës, duke theksuar se kjo është një nga goditjet më të mëdha që ka marrë vendi që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008.

Ajo fajësoi Kurtin dhe Gërvallën për një qasje të papërgjegjshme dhe aventureske që, sipas saj, ka sjellë këtë rezultat.

“Ky është prapakthimi më i madh që i është shkaktuar sovranitetit dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës që nga 2008. Kemi ardhur në këtë pikë si rezultat i një qasje tërësisht të papërgjegjshme, aventureske, fëminore të binomit Kurti-Gërvalla. Kryeministri ka shpërfillur aleatët kryesorë”, ka thënë Çitaku në TVDukagjini.

Ajo theksoi se vendimi për liberalizimin e vizave për pasaportat serbe është legjitimim i strukturave paralele serbe që operojnë në Kosovë. Sipas saj, ky vendim po vjen në një kohë kur Kurti proklamon shtrirjen e sovranitetit të Kosovës, por realiteti është ndryshe.

“Sepse është dokumenteve të lëshuara nga strukturat paralele të Serbisë në territorin e Kosovës, u është dhënë legjitimitet ndërkombëtar… Dhe kjo po vjen në një kohë kur Qeveria e Kosovës, përkatësisht kryeministri Kurti tërë ditën trumbeton për shtrirjen sovranitetit të Kosovës. Kurti fatkeqësisht e ka reduktuar idenë e sovraniteti në disa zyre brenda disa objekteve komunale në veri”, ka shtuar Çitaku.

Kurse, gjatë ditës në një konferencë për media Gërvalla, ka shprehur pakënaqësinë e saj lidhur me këtë vendim, duke e cilësuar si një hap të gabueshëm nga ana e BE-së dhe ka theksuar se përgjegjësia për këtë vendim qëndron te BE-ja e jo te Kosova.

Shpërndaje në: