Shoqëria civile dhe aktivistë reagojnë bashkë: Të dorëhiqet bordi i RTK-së, s’funksionon i pavarur nga LVV-ja

Shoqëria civile dhe aktivistë reagojnë bashkë: Të dorëhiqet bordi i RTK-së, s’funksionon i pavarur nga LVV-ja

Shumë organizata joqeveritare dhe aktivistë të shoqërisë civile janë bashkuar për të kërkuar njëzëri dorëheqjen e bordit të Radio Televizionit të Kosovës për “mungesë të pavarësisë dhe profesionalizmit në ushtrimin e mandatit të tyre”, pas situatës së krijuar me publikimin e një artikulli të një portali boshnjak që i etiketon si të Serbisë disa media në Kosovë.

Lëvizja FOL, Instituti i Kosovës për Drejtësi-IKD, Instituti Demokratik i Kosovës-KDI, Iniciativa për Progres-INPO, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – YIHR KS, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS), Demokraci PLUS- D+, Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion-QIKA, Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), Instituti Epik, Instituti Kosovar për Hulumtim dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED), Imer Mushkolaj, Flutura Kusari, Agon Maliqi, Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari, Sbunker, Grupi për Studime Juridike dhe Politike – GLPS, Instituti Demokraci për zhvillim – D4D thonë se RTK-ja e publikoi artikullin dezinformues për t’i sulmuar mediat, sipas qëllimit të Lëvizjes Vetëvendosje për denigrimin e gazetarëve.

“Radio Televizioni i Kosovës (RTK) ka ri publikuar një informacion dezinformues me qëllim që të sulmojë mediat online Nacionale dhe Persikopi nën pretendimin që kontrollohen nga Serbia. Kjo narrativë e ushqyer ndër vite nga partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje ka për qëllim denigrimin e gazetarëve dhe cytjen e qytetarëve kundër tyre, gjë që përbën rrezik për sigurinë e tyre”, thuhet në reagimin e këtyre organizatave dhe aktivistëve.

Organizatat dhe aktivistët shprehën shqetësimin me deklarimin e bordit të RTK-së, pas një mbledhje të mbajtur të martën.

“Në vend se të suspendonte të gjithë përgjegjësit për lëshimin e kësaj dezinformate, Bordi i RTK-se u mjaftua me një shprehje të “keqardhjes” për artikullin në fjalë dhe formimin e një komisioni për të “sqaruar situatën” duke mos u distancuar apo kërkuar falje. Është tejet shqetësues fakti që artikullin diznformues të publikuar nga RTK-ja, bordi e ka cilësuar si “kontravers” dhe ka deklaruar të pavërteta se kinse RTK nuk ka përmendur emrat e mediumeve. Kjo është bërë për të zbutur kështu skandalin që i ka ndodhur transmetuesit publik dhe duke anashkaluar faktin se ky lajm bie në kundërshtim me Ligjin e RTK-së, Statutin e RTK-së dhe Standardet Profesionale. Formimi i komisioneve është metodë e njohur që përdoret për të tej zgjatur procedurat me shpresën që publiku do të harrojë”, thuhet në reagim.

Përtej ngjarjes së fundit, shoqëria civile dhe aktivistët thonë se “një sërë zhvillimesh tjera kanë ndodhur në RTK që japin indikacione të qarta që bordi i transmetuesit nuk funksionon më i pavarur nga partia në pushtet”.

“Këtu përfshihen detyrimi i ish drejtorit gjeneral Shkumbin Ahmetxhekaj që të dorëhiqet dhe ushtrimi i presionit ndaj tij, krijimi i një praktike të publikimit të informacioneve që shkelin standardet etike dhe ligjore siç ishte informacioni për dyshimet për atentate ndaj udhëheqësve të pushtetit, publikimi i videove të ndryshme që i ndihmojnë narratives qeveritare e deri tek lajmet si ky i fundit që për qëllim nuk e kanë informimin e publikut por bërjen e propagandës pro qeveritare”, thuhet në reagim.

Organizatat dhe aktivistët që u bashkuan për këtë reagim, konsiderojnë se “bordi i RTK-së duke bërë lëshime të njëpasnjëshme ka lejuar shtrirjen e dorës së pushtetit në transmetuesin publik dhe nuk gëzon më kredibilitetin dhe pavarësinë e nevojshme për të vazhduar tutje mandatin e tyre dhe duhet të dorëhiqen nga pozitat e tyre”.

“Njëkohësisht i bëjmë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që të ndalë luftën e ashpër kundër mediave dhe gazetarëve që ka rezultuar me rënien e Kosovës 19 vende në indeksin e Reporterëve pa Kufij”, thuhet në fund të reagimit.

Radio Televizioni i Kosovës e transmetoi të hënën në edicionin qendror të lajmeve një lajm se presidenti serb Aleksandar Vuçiq po i merr në dispozicion të tij mediat e Kosovës.

Lajmi doli edhe në web-faqen e televizionit, ku u përmendën dy mediumet, Periskopi dhe Nacionale. RTK-ja citonte një artikull të “Slobodna Bosna”, duke shkruar se Periskopi është “nën kontrollin e drejtpërdrejtë të terroristit nga Banjska, Milan Radoiçiq”, dhe se së fundmi “është bërë një transaksion miliona dollarësh te Nacionale”.

Pasi RTK-ja e transmetoi këtë lajm të rremë, të njëjtin e shpërndanë me shpejtësi eksponentë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka alarmuar se “fushata si kjo rrezikon seriozisht sigurinë e gazetarëve të këtyre dy mediave, dhe Vetëvendosja e deputetët e saj duhet të mbahen përgjegjës për nxitjen e urrejtjes dhe sulmeve potenciale kundër tyre”.

Shpërndaje në: