Kontrolluesi i certifikuar i fakteve nga “Meta” në Bosnje flet për tekstin e ‘Slobodna-Bosnës’: Prodhues të mëdhenj manipulimesh

Kontrolluesi i certifikuar i fakteve nga “Meta” në Bosnje flet për tekstin e ‘Slobodna-Bosnës’: Prodhues të mëdhenj manipulimesh

“Janë prodhues të mëdhenj manipulimesh…s’do të thoja që janë liderë në prodhim të dezinformimit, por ama liderë në publikim të tyre, po”.

Kështu tha drejtuesi i platformës më serioze të kontrollimit të fakteve (fact-checker) në Bosnje-Hercegovinë, “Raskrinkavanje”, Darko Brkan, pas publikimit të një teksti skajshmërisht kontraverz në “Slobodna Bosna”.

Pa fakte, pa asgjë për të bazuar pretendimet, pa hiç kurrgjë; mbi bazën e një thash-më-tha “Slobodna Bosna” ndërtoi gjoja ‘hulumtim’ që e dha për lajm ekskluziv se kinse dy mediume në Kosovë janë ofruar në shërbim të shtetit serb: Nacionale dhe Periskopi.

Mediumi kontroverz ‘Slobodna Bosna’ mbush faqet për prodhim të lajmeve të rreme, manipulim të fakteve dhe dezinformimeve në platformën “ Raskrinkavanje” të verifikimit të vërtetësisë së informacioneve dhe raportimeve në mediat në Bosnje-Hercegovinë; platformë kjo konfirmuar nga kompania “Meta” (që ka në pronësi Facebook-un, Instagram-in dhe WhatsApp-in).

Kjo platformë më 12 mars të vitit 2020 kishte shkruar arritur në përfundimin që në rajon “Slobodna Bosna”, “Alo”-ja famëkeqe serbe dhe “Originalno”, prijnë për lajme të rreme dhe shënohin nën rubikrun “Flamur i kuq”.

 Në vitin 2024 “Slobodna Bosna” numëron 63 artikuj “dezinformim”, 44 artikuj “manipulim të fakteve”, dhe 15 artikuj “lajme të rreme”.

Më 2020 “Slobodna Bosna” numëron 23 artikuj si “shpërndarje e lajmeve të rreme”, 36 artikuj si “dezinformim”, dhe 12 artikuj si “manipulim të fakteve”, përtej artikujve të tjerë si “pseudoshkencë, teori konspirative”.

Nacionale intervistoi drejtuesin të kësaj platforme kontrolluesi faktesh – që udhëhiqet nga profesionistë të dorës së parë, të çertifikuar nga Meta, si dhe anëtarë të Rrjetit Evropian të Fact Checkers.

“Prodhojnë dezinformata…gjëra të paverifikuara…për senzacion…përmbajtje të dyshimtë për nga besueshmëria…thjesht çka t’u bjen në dorë për të mbijetuar”, tha ai për Nacionalen pyetur rreth ‘Slobodna Bosna’-s.

“Vlerësimi im do të ishte që ata kryesisht do të kenë artikuj që janë të dyshimta sa i përket besueshmërisë, por më shumë është që duan senzacion duke përdorur burime të pakonfirmuara; dhe kopjojnë burime nga burime tjera, dhe kryesisht publikojnë senzacionalisht për klikime sa më shumë”, ma tha ai.

Akterë të pushtetit – me në krye mjeshtren Dejona Mihali – e japin ‘Slobodna Bosna’-n që nga dje për medium gjoja kredibil, nga ku, me direktiva politike, e dërguan për t’ia lexuar artikullin në Radio Televizionin e Kosovës, pa asnjë ndërhyrje.

Gazetarë të shumtë e redaktorë u distancuan nga teksti në fjalë, disa prej tyre duke u ndjerë publikisht të turpëruar me atë çka ngjau dje në transmetuesin publik.

E pyetëm Brkan-in, se a bëhet që – siç është peizazhi mediatik ballkanas – që ‘Slobodna Bosna’ të ketë pranuar tekst me porosi?

Kjo është praktikë shumë e zakonshme në mesin e mediave të BeH-së ku marrin gjoja një burim për ta kinse të informuar dhe zakonisht njerëz të ndryshëm montojnë dezinformata të ndryshme. Dhe kjo është gjë krejt e zakontë për çështje të brendshme politike në Bosnje, thashetheme politike ose burime të paverifikuara e hiç kredibile dhe pa kurrëfarë dokumentimi botohen si storje ekskluzive. Shumë e zakonshme kjo këtu të bëhet. Slobodna Bosna nuk përjashtohet, e kanë bërë më herët si shumë media tjera”, na tha ai.

Se një gjë e tillë mund të ketë qenë rasti me qeverinë kosovare, për Brkanin “nuk është aspak befausese”; duke ditur intenzitetin e shpërndarjeve dhe të qëndruarit prapa atij teksti pa hic kurrgjë gazetareske e profesionale – për dëshmi të mos flasim.

Kjo është edhe mënyra e zakonshme e vendosjes (montimit) dezinformimit. Ne këtu në rajon e kemi parë shpesh, ku aktorë politikë nga një vend, Serbia, Mali i Zi, Bosnje-Hercegovinë, e montojnë një copë informacioni në një vend tjetër dhe e shpërndajnë në vende të tyre…kështu duke e pretenduar pastaj atë lajm si kredibil sepse kur lajmi vjen nga një vend tjetër duket më kredibil se sa ta botosh në vendin tuaj”, vazhdoi ai.

Slobona Bosna është prodhues i madh i manipulimeve të mediave të ndryshme, nuk do të thoja që është në majen e atyre që prodhojnë copët e tyre të dezinformimit por publikimi i dezinformatave është gjëja e tyre. Por, nuk është se i prodhojnë dezinformatat prej vete. Këtë e ke të sigurt. Nuk janë liderë të prodhimit të dezinformatave, por të publikimit të tyre, po”, përfundoi ai në një përgjigje për Nacionalen.

Shpërndaje në: