Arrestimi i disa zyrtarëve të Njësitit për Patentë Shoferët në Pejë, deklarohet prokurorja për rastin

Arrestimi i disa zyrtarëve të Njësitit për Patentë Shoferët në Pejë, deklarohet prokurorja për rastin

Një aksion është zhvilluar mëngjesin e sotëm në Pejë i cili ka rezultuar me arrestimin e disa zyrtarëve të Njësitit për Patentë Shoferë.

Për detajet, mbi aksionin dhe veprimet ka folur edhe prokurorja e rastit, Valbona Disha – Haxhosaj.

Ajo për ‘RADIO 1’ ka sqaruar qarkun e veprimeve të ndërmarra.

‘Kam urdhëruar veprime dhe arrestime siç edhe jeni njoftuar, në një aksion që është kryer nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit. Arrestimet janë kryer në Pejë, në Njësinë e Patent shoferëve dhe të sqarojmë se poashtu kam urdhëruar veprime dhe arrestime edhe në komunat Deçan, Fushë Kosovë dhe Prishtinë të cilat ndërlidhen me Pejën. Detajet do ti përgatisim, mirëpo është me rëndësi për opinionin që të sqarojmë zonën e shtrirjes së aksionit. Pra kemi të bëjmë me Pejën, Deçanin, Fushë Kosovën dhe Prishtinën, porse të gjitha ndërlidhen me Pejën”, tha Haxhosaj.

Ndërkaq, aksioni u zhvillua nga Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në koordinim me Prokurorin e Shtetit.

Për aksionin njoftoi edhe zëvendës ministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi.

“Në Pejë kanë ndodhur arrestimet e zyrtarëve për Njësinë e Patentë Shoferë. Ne me kohë i kemi raportuar këto raste. Shpresoj se kjo çështje do të shkojë deri në fund, dhe të gjitha ata që janë të përfshirë të marrin dënimin e merituar. Falënderoj organet e drejtësisë për veprimet që janë ndërmarrë deri tani”, thotë Durmishi.

Më pas rastin e konfirmoi shkurtazi për Express edhe Kryeprokurori i Pejës Agim Kurmehaj.

“Po mund të ju konfirmoj se është duke u zhvilluar aksioni, por detaje tjera do të bëhen publike më vonë”, tha ai.

Shpërndaje në: