BE-ja zhvendos takimin e ministrave nga Budapesti në Bruksel

BE-ja zhvendos takimin e ministrave nga Budapesti në Bruksel

Bashkimi Evropian do të mbajë takimin e radhës të ministrave të Jashtëm dhe të Mbrojtjes në Bruksel, në vend se në Budapest, si një goditje “simbolike” ndaj Hungarisë për diplomacinë e saj krye më vete sa i përket Ukrainës, tha shefi i diplomacisë të bllokut, Josep Borrell.

Ndryshimi i lokacionit për takimin e 28-30 gushtit paraqet goditje ndaj reputacionit të Hungarisë, e cila javë më parë mori kryesimin e presidencës të Bashkimit Evropian.

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, zemëroi pothuajse të gjithë partnerët e tij në BE, pasi zhvilloi një vizitë në Moskë, ku diskutoi për një rrugë të mundshme për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

Orban – që është aleati më i ngushtë që presidenti rus, Vladimir Putin, ka në BE – ka akuzuar BE-në se ka “politikë pro luftës”, duke vazhduar mbështetjen ushtarake dhe financiare për Kievin.

“Mund të them që të gjitha shtetet anëtare – me përjashtim të një shteti – janë të brengosura me këtë sjellje”, tha Borrell pasi kryesoi mbledhjen e ministrave të Jashtëm në Bruksel.

“Është Putini që është palë në luftë. I vetmi që provokon është Putini, ai është që kërkon ndarjen e Ukrainës dhe vendos parakushte për çdo bisedë dhe për çdo armëpushim”, tha ai.

Qëndrimi i Qeverisë së Orbanit “duhet të përballet me disa pasoja. Si rezultat i kësaj, “ne kemi dërguar një sinjal, edhe në qoftë se është sinjal simbolik” ndaj Hungarisë, tha Borrell.

Prandaj, ai tha se takimi i radhës i ministrave të Jashtëm dhe të Mbrojtjes do të mbahet në Bruksel.
Borrell tha se pothuajse të gjithë partnerët e Hungarisë në BE gjatë takimit të mbajtur të martën kritikuar nisën e Orbanit, që ai e ka quajtur “mision për paqe”.

Vetëm Sllovakia ka mbështetur qëndrimin e Hungarisë.

“Ne e mbështesim plotësisht nismën e Hungarisë për paqe”, tha ministri i Brendshëm i Sllovakisë, Matus Sutaj Estok, teksa ishte duke hyrë në një mbledhje tjetër të BE-së të mbajtur të hënën.

Shpërndaje në: