Reagon Presidenca: Vendimi i BE-së mbështet strukturat dhe prezencën ilegale të Serbisë në Kosovë, nuk u konsultuam fare

Reagon Presidenca: Vendimi i BE-së mbështet strukturat dhe prezencën ilegale të Serbisë në Kosovë, nuk u konsultuam fare

Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes Vjosa Osmani, ka thënë se qytetarët e Kosovës dëmtohen nga vendimi i Këshillit të BE-së qytetarëve me pasaporta serbe t’iu lejohet qarkullimi pa viza.

Sipas tij, përfshirja e serbëve me pasaporta të jashtëligjshme të lëshuara në Kosovë dëmton Kosovën dhe karakterin multietnik të saj, por edhe të vetë Bashkimit Evropian.

Ai është shprehur se ky vendim e saboton procesin e integrimit të komunitetit serb në Kosovë dhe ndikon negativisht në shtrirjen e sundimit të ligjit.

“Legjitimimi i këtyre pasaportave të jashtëligjshme nga BE-ja, saboton procesin e integrimit të komunitetit serb në Kosovë, e në veçanti në një periudhë kur një numër i madh i qytetarëve të etnisë serbe në Kosovë po pajiseshin me pasaporta të Republikës së Kosovës. Gjithashtu, ky vendim ndikon negativisht në shtrirjen e sundimit të ligjit në gjithë Kosovën dhe për të gjithë qytetarët e saj. Për më tepër, këto dokumente që përmbajnë informacione të paverifikuara, mund të barten nga persona që mund të cenojnë drejtpërdrejt rendin dhe sigurinë edhe në BE”, është shprehur Kupina.

Ai ka potencuar se Kosova nuk merr përgjegjësi për shkeljet që “bartësit e këtyre dokumenteve të jashtëligjshme mund t’i bëjnë në zonën Schengen”. Sipas këshilltarit të Osmanit, vendimi i BE-së i mbështet strukturat dhe prezencën ilegale të Serbisë në Kosovë.

“Kosova për këtë vendim nuk është konsultuar fare, megjithëse institucionet tona i kanë dërguar vazhdimisht argumentet tona pse ky vendim është i dëmshëm. Ky vendim i BE-së, ligjërisht është i pazbatueshëm në Kosovë, ndaj pasojat e tij nuk mund t’i marrë Kosova dhe institucionet e saj, sikurse as përgjegjësinë juridike dhe atë politike, E drejta e lirisë së lëvizjes duhet të ekzistojë gjithnjë, por jo në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës si dhe përpjekjeve e angazhimit tonë për sundim të ligjit në çdo cep të Kosovës”, ka theksuar Kupina.

Shpërndaje në: