Për çka u thirr Albulena Haxhiu në intervistim nga Prokuroria Speciale?
Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, Haxhiu është thirrur me qëllim të sqarimit të deklaratës së saj të dhënë në mediumin TV Dukagjini, në emisionin “Debat Plus’’ më datë 02 korrik 2024, lidhur me takimet dhe diskutimet e mundshme me prokurorë dhe gjyqtarë për raste të caktuara, si dhe postimin e saj në rrjetin social Facebook të datës 20 korrik 2024, lidhur me arratisjet që kanë ndodh nga burgjet e Kosovës.
Të shtunën, ajo tha se organet shtetërore kanë informacione që “së paku në disa raste”, grupe kriminale të lidhura me pushtetin në Serbi kanë ndihmuar dhe organizuar arratisjet e të burgosurve në Kosovë.
“E rëndësishme të potencohet fakti që arratisja e disa personave që po kërkohen nga institucionet përgjegjëse në Republikën e Kosovës po bëhet vetëm në një drejtim: atë të territorit të Serbisë. Informacionet e organeve tona sugjerojnë që së paku në disa raste, këto arratisje janë cytur, organizuar, bashkëorganizuar e lehtësuar nga grupe kriminale të lidhura me struktura të pushtetit në territorin e Serbisë”, tha Haxhiu.
Ministrja e Drejtësisë kishte thënë se mbështetja e Serbisë për të arratisurit në Kosovë “është padyshim e qëllimshme, e organizuar dhe e lidhur me qëllim për të dëmtuar rendin publik, kushtetues e ligjor të Kosovës”.
“Ofrimi i territorit të Serbisë si mburojë ndaj ndjekjes së organeve penale të Republikës tonë i shërben krimit dhe kontribuon hapur cenimit të stabilitetit institucional e ligjor të Republikës së Kosovës. Shpeshtimi sistematik i këtyre rasteve në këtë periudhë nuk ka asnjë kuptim tjetër përpos qëllimit politik agresiv të fqinjit tonë verior”, u pat shprehur Haxhiu.
Në adresimin e saj të gjatë në rrjetet sociale, Haxhiu tutje ka thënë se për shkak të informacioneve “kundërthënëse” nuk mund të dihet me siguri nëse Faton Hajrizi është vrarë.
“Informacionet këto ditë ishin kundërthënëse, andaj nuk mund ta dimë me siguri, se a është ai njëmend i vrarë dhe nëse po, a është vrarë në territorin e Serbisë apo të Republikës Serbe në Bosnje dhe Hercegovinë, përfshirë detajet tjera të rëndësishme e të nevojshme për hetim. Domosdo nevojitet hetim i gjerë e i thellë, për të zbardhur të vërtetën e këtij rasti”, ka thënë ajo.
Faton Hajrizi, i vrarë të premten, ka qenë në kërkim nga autoritetet serbe, pasi më 18 korrik është raportuar se e ka vrarë një zyrtar policor serb dhe e ka plagosur një tjetër, gjatë një kontrolli rutinor në Lloznicë të Serbisë, qytezë në afërsi me Bosnje-Hercegovinën.
Përveç Hajrizit, në ditët e fundit në Kosovë është arratisur edhe një i burgosur tjetër, Ujkan Metaj./Periskopi