Mbyllen edhe dy pika të derivateve në veri të Kosovës

Mbyllen edhe dy pika të derivateve në veri të Kosovës

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes të Tregut në Kosovë tha se ka mbyllur përkohësisht dy pika të derivateve në veri, për shkak se po operonin pa leje të shitjes me pakicë të derivateve të naftës.

Sipas njoftimit, dy pompat që u mbyllën gjendeshin në Zveçan dhe Leposaviq. Në fotografitë, që i janë bashkëngjitur njoftimit të lëshuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, shihet logoja e kompanisë NIS.

“Të gjitha subjektet që merren me tregtinë e produkteve të naftës dhe të karburanteve të ripërtërishme, duhet të pajisen me leje të vlefshme nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, për zhvillimin e veprimtarisë së tyre brenda territorit të Republikës së Kosovës”, tha MINT përmes një njoftimi për media.

Më 16 korrik 2024, Inspektorati i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë së Kosovës mbylli një pompë në Mitrovicën e Veriut dhe dy në Zubin Potok, pasi nuk kishin licencë për punë. Të gjitha pompat e mbyllura kishin logon NIS. Ato pompa të benzinës, kryesisht si trashëgimi e Jugopetrolit, janë nën kontrollin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Shpërndaje në: