Szunyog në takime lamtumirëse me liderët, rikonfirmon përkushtimin e BE-së në mbështetje të Kosovës
Me përfundimin e mandatit të tij, ambasadori i Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Tomas Szunyog pati një sërë takimesh lamtumire me liderët të Kosovës.
Në një njoftim në faqen e Zyrës së BE-së në Kosovë në Facebook, thuhet se në takimin e tij me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ambasadori Szunyog e ka falënderuar për bashkëpunimin e tyre dhe ka rikonfirmoi përkushtimin e palëkundur të BE-së për të mbështetur Kosovën në rrugën e saj drejt BE-së.
Ai thuhet se është takuar gjithashtu edhe me kryeparlamentarin Glauk Konjufca, duke shprehur mirënjohjen për bashkëpunimin e tyre ndër vite. “Ambasadori Szunyog përsëriti rëndësinë e miratimit të ligjeve që përputhen me standardet evropiane për të ndihmuar Kosovën të përparojë në rrugën e saj drejt BE-së”, thuhet në njoftim.
Gjatë takimit të lamtumirës me kryeministrin Albin Kurti, thuhet se Szunyog e ka falënderuar kryeministrin për bashkëpunimin dhe ka rikonfirmuar rolin e BE-së si një partner stabil dhe i pazëvendësueshëm për Kosovën. “Ai inkurajoi përshpejtimin e reformave të nevojshme për rrugën e Kosovës në BE”, thuhet në njoftim.
Ambasadori Szunyog thuhet se i ka dhënë lamtumirën e fundit edhe zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, duke e falënderuar për bashkëpunimin në çështjet thelbësore që kanë të bëjnë me integrimet evropiane. “Ai theksoi se rruga evropiane e Kosovës kalon përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, e vetmja platformë praktike për adresimin e çështjeve të pazgjidhura”, thuhet në njoftim.
Në fund, në takimin me zëvendëskryeministren Emilija Rexhepi, Szunyog thuhet se ka shprehuur mirënjohjen për bashkëpunimin e mirë gjatë mandatit të tij. “Ai theksoi rëndësinë e respektimit të plotë të të drejtave të njeriut dhe të drejtave të komuniteteve joshumicë për përparimin e Kosovës në rrugën drejt BE-së”, thuhet në njoftim.