BE merr vendim: Ua heq vizat serbëve me pasaporta ilegale të lëshuara nga Serbia për Kosovën
Këshilli Evropian ka marrë vendim që të ua liberalizojë vizat serbëve të Kosovës që mbajnë pasaporta të Serbisë që lëshohen nga Drejtoria Koordinuese e shtetit serb.
Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate për media nga Këshilli Evropian.
“Këshilli vendos heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave serbe të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese Serbe”.
“Miratimi i sotëm nga Këshilli përfundon procesin legjislativ. Me hyrjen në fuqi të rregullores, e cila do të ndodhë në ditën e 20-të pas botimit në Fletoren Zyrtare të BE-së, ajo do të bëhet e zbatueshme në të gjitha shtetet anëtare të BE-së”, thuhet më tej në komunikatë.
Më 6 mars, Komisioni për Punë të Brendshme në Parlamentin Evropian (PE) caktoi eurodeputetin slloven nga radhët e Aleancës së Socialistëve dhe Demokratëve (S&D), Matjaz Nemec, raportues për largimin e regjimit të vizave për serbët e Kosovës që posedojnë pasaporta ilegale të lëshuara nga Zyra Koordinuese e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë. /Apost/