Ramadani: NATO e Kosova duhet të kenë aranzhime të reja operacionale
Institucionet e Kosovës e kanë për detyrë dhe obligim që të mos ta lejojnë përsëritjen e rastit terrorist të 24 shtatorit në Banjska. Ish-kryeinspektori i AKI-së, Burim Ramadani, thotë se NATO dhe Kosova duhet të kenë aranzhime të reja operacionale në aspektin politik dhe strategjik.
Ramadani thotë se situata e sigurisë në Kosovë është stabile, por paqëndrueshmëria e saj është e dukshme. Ai u bënë thirrje qytetarëve të rrisin bashkëpunimin me institucionet shtetërore, në mënyrë që të shmangen incidentet e mundshme në të ardhmen.
Në një konferencë për media, kryetarja e komisionit për mbikëqyrjen e AKI-së, Ganimete Musliu ka deklaruar se grupi terrorist serb është duke kryer ushtrime në rrethinën e Novi Pazar, Kopaonik e Kralevë, me mbështetje të Beogradit zyrtar dhe i udhëhequr nga autori i sulmit të Banjskës, Milan Radojiçiq.
Për këtë çështje, Ramadani thotë se institucionet e Kosovës e kanë për detyrë dhe obligim që të mos ta lejojnë përsëritjen e rastit në Banjska. Ai është shprehur se shpesh ka kërkuar që NATO dhe Kosova të kenë aranzhime të reja operacionale, në aspektin e bashkëpunimit mes KFOR-it dhe sektorit të sigurisë së Kosovës.
“Grupet paramilitare të Serbisë të ndërlidhura me shtetin e Serbisë dhe strukturat e sigurisë, kanë vazhduar sikurse është vlerësuar nga institucionet e sigurisë të përgatiten ose trajnohen në kuptimin e qëllimeve të këqija të kërcënimit të sigurisë në Kosovë dhe si e tillë institucionet e Kosovës e kanë për detyrë dhe obligim që të mos lejojnë përsëritjen e Banjskës. Unë shpesh e kam kërkuar ose e kam nxitur domosdoshmërinë që NATO dhe Kosova të kenë aranzhime të reja operacionale, pra edhe në aspektin e bashkëpunimit mes KFOR-it dhe sektorit të sigurisë së Kosovës, duke mos e lënë anash aspektin politik dhe strategjik”, ka thënë Ramadani.
Po ashtu, ditëve të fundit qytetarët kanë filluar ta përdorin për larje për herë të parë pas lufte liqenin e Ujmanit. Sipas Ramadanit, politizimi i organizimeve, sidomos atyre partiake në mbrojtje të rreptë policore, nuk i bën nder askujt.
Qytetarët e Kosovës mund të vizitojnë cilëndo pjesë të Kosovës, porse pompoziteti dhe politizimi i cilitdo organizim dhe sidomos organizimeve partiake në mbrojtje të rreptë policore, besoj që nuk i bën nderë as atyre që e kanë organizuar dhe nuk i bën nder as strategjisë për integrimin e përbashkët të qytetarëve atje”, ka thënë Ramadani.