Azemi: Ikja e punëtorëve nga Kosova jashtëzakonisht e madhe, duhet një dekadë për të kthyer fuqinë punëtore
Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi u deklarua rreth ikjes së fuqisë punëtore nga Kosova, ku tha se ikja është e madhe dhe këtë mungesë janë duke e ndjerë pronarët e kompanive, përderisa sipas tij institucionet shtetërore nuk po merren me ta.
“Ikja është jashtëzakonisht tepër e madhe, më e madhe se që ne e kemi menduar, fakti që nuk ka kompani që nuk deklaron që ka mungesë të punëtoreve, fakti që nëpër dritare të lokaleve sheh që po kërkojnë punëtorë dhe fakti që shumë projekte që janë nisur këtë vit në mungesë të fuqisë punëtore kanë mbetur mbrapa, dhe këtë barrë më së shumti janë duke e ndjerë vetë pronarët e kompanive që vetëm tani kanë filluar të deklarohen, përderisa institucionet shtetërore faktikisht nuk po e ndjejnë sepse nuk po merren me ta”, deklaroi ai.
Sipas Azemit, zgjedhjet e mundshme në Kosovë nuk do të ndikojnë në situatën e ikjes së fuqisë punëtore, dhe se sipas tij ikja e punëtorëve është shkak i mos zbatimit të ligjit nga pronarët e kompanive.
“Te punëtorët e sektorit privat të Kosovës kurdo që të mbahen zgjedhjet nesër pasnesër kjo nuk do të ndikojë fare, sepse punëtorët pjesa dërmuese e tyre e kanë ndarë mendjen dhe realisht është një ikje masive, më herët me shumë rrena të politikave kanë mundur të stagnojnë paksa, po them kështu, por tanimë punëtorët e sektorit privat të janë ngopur me deklarata të ish qeverive, e edhe të kësaj qeverie, faktikisht kjo nuk çon peshë absolutisht aspak. Dhe avazi do të vazhdojë, tregu i fuqisë punëtore ka humbur në Kosovë nuk është që ka qenë para një viti, një vit e gjysmë dhe këta e kemi bërë ne me vetëdije, pasi që nuk kemi ndërmarrë asnjë hap që së paku ta ngadalësojmë këtë ikje nga Kosova”, tha ai.
Por, cilat janë arsyet e ikjes së punëtorëve nga Kosova?
“Po ikja e punëtorëve në radhë të parë është për shkak që pronarët nuk e kanë zbatuar asnjë ligj që e kemi ne në raport të punëdhënësve, punëmarrësve, as Ligjin e Punës, as Ligjin mbi Shëndetin dhe Sigurinë në Punë, as ligje të tjera. Kemi mungesë të marrëveshjes kolektive e cila plotëson Ligjin e Punës, kemi një pagë minimale e cila ende nuk është në fuqi, e cila po themi që me këtë pagë minimale absolutisht vetëm sa i ka irrituar punëtorët e sektorit privat sepse me 250 euro nuk ke çka të bësh. Këto veprime vetëm sa kanë krijuar antipati tek punëtorët sepse realisht ne po jetojmë këtu dhe punëtori i sektorit privat që merr pagën nën 700 euro nuk mund të mbijetojë me shpenzimet ditore dhe mujore”, vazhdoi tutje ai.
Po ashtu, Azemi thotë se tanimë nuk është koha e protestave, por është koha e liberalizimit të vizave ku edhe ka bërë të veten.
“Ka kaluar koha e protestave, ne kemi protestuar gjithmonë edhe për pagën minimale dhe për kushte më të mira, realisht nuk kemi gjetur gjuhën e përbashkët. Tani nuk është koha e protestave, tani është koha e ikjes, liberalizimi i vizave ka bërë të veten, tanimë punëtori nuk shkon me ia zdrit sytë as pronarit të kompanisë, as qeverisë për 10-20 euro, tanimë ajo kohë ka përfunduar. Tanimë janë duke e ndjerë mungesën e punëtorëve pronarët e kompanive dhe jam i bindur që do t’ju kushtojë shumë atyre, por edhe të gjithë akterëve të tjerë”, u shpreh ai.
“Realisht për ikjen e punëtorëve në rend të parë është në aspektin pozitiv për punëtorët e sektorit privat është liberalizimi i vizave dhe në rend të dytë janë ish qeveritë por edhe qeveria e tanishme, sepse unë e them, le të ma gjejë dikush edhe në qeveritë e kaluara edhe në këtë qeveri që ka bërë dikush diçka për punëtorët e sektorit privat të Kosovës, dhe ne shpesh bëjmë krahasime përderisa bashkatdhetarët tonë janë vëllezërit dhe motrat tona, Qeveria e Kosovës shkon e stimulon policën e sigurimit për ata njerëz që në fakt kanë bërë një kapital të tyre, shyqyr që kanë një kapital sepse ai është edhe kapital i joni, dhe nuk shkon ta stimulojë një punëtor që vdes në vendin e punës, për neve është një diskrepancë shumë e madhe. Dhe, po ofrojmë një stimulim 100 milionë euro të bizneseve, për neve kjo është vetëm një propagandë dhe është një moment kur para zgjedhjeve dalin këso versionesh, por në fakt realiteti është i barabartë me zero”, vazhdoi më tej Azemi.
Sipas tij, as Qeveria e Kosovës e as partitë politike nuk kanë bërë asgjë edhe pas ngritjes së shqetësimeve nga ana e tyre, dhe se sipas tij është humbur beteja dhe lufta në këtë rast.
“Rast konkret, ne kemi punëtorët teknikë që punojnë mu në Kuvendin e Kosovës dhe ata marrin pagë vetëm 275 euro dhe ne kemi ngritur shqetësimin tonë, ne kemi protestuar për këtë çështje, ne i kemi njoftuar të gjitha grupet parlamentare dhe nuk është bërë asgjë. As Qeveria e Kosovës e as të gjitha partitë politike që e krijojnë Parlamentin e Kosovës që janë të njoftuar me këtë rast ose ndoshta themi më mirë me këtë skandal, nuk kanë vepruar. Kështu që ku kemi me shku më tutje kur në vetë kulmin e shtëpisë së tyre po ndodhin shkeljet ligjore të punëtoreve të sektorit privat”, tha ai.
“Mua më vjen keq të themi që e kemi humbur edhe betejën edhe luftën me këtë rast sepse ne kemi kërkesa të protokolluara tek Qeveria e Kosovës që të ulemi të bisedojmë dhe të parandalojmë atë që mund të parandalojmë sepse ne e kuptoj që edhe në Gjermani e Zvicër po bëhen lëvizje të punëtorëve, por megjithatë tek ne po bëhen lëvizje më të madhe të punëtorëve, aq më keq që nuk kemi një numër të madh të fuqisë punëtore dhe kryesisht janë punëtorë të kualifikuar. Ta themi të vërtetën gjithçka çka mund të ndërmarrim sot është vonë dhe kot, krejt çka mund të bëjmë në një afat të shkurtër është që nëse pronarët e kompanive na argumentojnë me pagesat që i bëjnë ndaj punëtorëve duke e parë njëri-tjetrin, mund të themi që gradualisht mund të ketë ndryshim. Përndryshe, nëse një pronar i kompanive del sot dhe thotë i ka 1500 euro secili punëtor, është një periudhë për dy dekada e gjysmë janë mësuar vetëm të gënjejnë dhe është një periudhë bukur e rëndë për të kthyer besimin e punëtorëve që kanë ikur dhe kanë lanë familjet e tyre”, potencoi Azemi për GazetënBlic.
Për në fund, kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi thotë se për të kthyer fuqinë punëtore duhet një dekadë e terë.
“Për të kthyer fuqinë punëtore më së paku mund të duhet një dekadë sepse njerëzit kur shkojnë atje ne e dimë që nuk i pret parajsa, mirëpo të gjithë ata që kanë dalë jashtë e dimë që kanë bërë një kapital, kanë bërë një shtëpi, banesë të tyre, kanë një gjendje të mirë sociale, bëjnë një pushim të mirë në Kosovë, përderisa ne duhet të mendojmë a mund të dalim me gjëra elementare në fund të muajit që në fakt nuk mund të del. Kemi pagë sot që marrin 300 euro dhe paramendoje një familjar që në bazë të rregullave ligjore duhet të mbajë katër anëtarë të familjes, çka mund të bëjë me 300 euro. Për çdo ditë po hyjmë në hendek hala më të madh, pjesa dërmuese janë nëpër kredi dhe ka shumë raste që edhe ato pak pajise që kanë në shtëpi kreditë kanë shkuar dhe ua kanë marrë dhe nuk ka perspektivë”, përfundoi kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi.